Zidane-Italia, mes dashurisë dhe urrejtjes

122

Zinedin Zidane rikthehet sërish në Itali. Misioni është i qartë – sfido Romën, fito dhe kualifikohu për në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Sot francezi do të bëjë debutimin e tij në Champions dhe objektivi është fitorja. Kjo sfidë hap një tjetër kapitull mes Zidanit dhe Italisë.

Juventusi

Kanë kaluar afërsisht 20 vite nga zbarkimi i Zinedin Zidanit në Torino. Në vitin 1996 Zidan ishte 24 vjeç dhe sapo kishte humbur finalen e Kupës UEFA me Bordonë, ndaj Bajernit të Mateusit.

Në atë kohë, Juventusi i Lipit fitoi Champions-in me Ajaksin. Vitet e para i kishte shumë të vështira sepse te Juventusi luanin lojtarë si Montero, Deshamps, Del Piero, Konte, Ferrara dhe Peruci. Kishin triumfuar në Europë dhe për të tjerët nuk kishte shumë hapësira. Zizu ishte elegant në fushën e lojës, por shumë i qetë jashtë saj. Gjithmonë kishte probleme me taktikën, por një mbrëmje tetori i shënoi Interit dhe nga atëherë filloi të rrëmbente zemrat e bardhezinjve.

Mallkimi “Europë”

Më pas erdhi suksesi në Kupën Interkontinentale kundër River Plejtit, ndërsa Borusia i shkaktoi humbjen e një tjetër finaleje radhazi Zidanit. Më vonë ishte Reali ai që eliminoi Juventusin. Fitorja e titullit kampion në Itali nuk e zbehu asnjëherë presionin që Juventusi kishte për të fituar Ligën e Kampioneve. Për Zidanin kishte gjithmonë ngushëllim në kombëtaren franceze.

Me “gjelat”, Zizu arriti të fitonte Botërorin dhe më pas një kampionat europian, ku në finale ishte Italia. Ai filloi të mahniste botën me elegancën e tij dhe për 75 milionë euro u ble nga Reali i Madridit. Aty menjëherë la shenjë në finalen e madhe të Glasgout, ku shënoi supergolin ndaj Bajer Leverkusenit.

Goditja ndaj Materacit

Problemet e Zidanit me Italinë nisën që në kohën kur ishte te Juventusi, pasi më vonë nuk pati më raporte miqësore me drejtuesit bardhezinj. Mallkimi i tij i madh në karrierë mbetet kombëtarja italiane, ku këtë herë del i humbur nga sfida me ta.

Finalja e madhe e Botërorit të Berlinit shënon një nga ngjarjet më të shëmtuara të karrierës së tij, ku Zidan largohet me karton të kuq pas goditjes me kokë që i bëri Materacit. Nga dalja e tij përfitoi edhe Italia duke fituar kampionatin botëror. Tani Zidan rikthehet sërish në Romë, për t’u hakmarrë dhe për të nisur një cikël fitues në Europë me Realin e tij.