Zhbogar, i shqetësuar me emërimet joligjore në bordet e ndërmarrjeve publike

110

Zyra e BE-së në Kosovë njoftoi sot se Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka takuar sot drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni, për të diskutuar për punën që po bën kjo Agjenci.

“Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar, dhe Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni, u takuan sot për të diskutuar punën e rëndësishme që po e bën Agjencia në luftimin e korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Preteni informoi Zhbogarin për opinion e Agjencisë, duke theksuar emërimet në nëntë bordet të cilat janë joligjore sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Ndërkaq, Zhbogar mirëpriti këtë opinion dhe tha që BE-ja ndan të njëjtat shqetësime me Agjencinë. Ai shprehu besimin se Qeveria do ta marrë këtë opinion seriozisht dhe do të zbatojë rekomandimet që jepen aty.

“Në përputhje me mandatin e tij, Bashkimi Evropian në Kosovë promovon emërimin e zyrtarëve shtetërorë në mënyrë transparente dhe të drejtë duke respektuar si duhet rregullat dhe procedurat ligjore”, thuhet në fund. /KosovaPress/