“Work, work, work”: Conte zbulon si do të ringjallë Chelsea-n në luftën për titull

166

Trajneri i Chelsea Antonio Conte pret që lojtarët e tij të japin më të mirën e tyre për ekipin e Premier League – me trajnerin e ri që prezantohet për herë të parë me sloganin ‘work, work, work’. Italiani është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Blues në “Stamford Bridge” ditën e enjte dhe ka detyrën të rikthejë ditët e lavdishme ë Londrën perëndimore. Dhe Conte, i cili stërviti ekipin për të parën herë ditën e mërkurë, pret që lojtarët e tij të bëjnë çmos për të mirën e klubit.


“Unë jam një punëtor. Unë dua të fitoj. Unë dua që të rikthehemi në Champions League dhe të fitojmë titullin. Unë dua vetëm të punoj. Punë, punë, punë. Dhe kam parë mentalitetin e duhur në qendrën stërvitore.” Mbërritja e Conte-s në Angli vjen pasi ai udhëhoqi Italinë deri në çerekfinalet e Euro 2016, ku u mund nga Gjermania me penallti. 46 vjeçari përdori formacionin 3-5-2 në Francë por nuk është i sigurt nëse ai është formacioni i duhur te Chelsea – dhe krahason ndërtimin e ekipit si qepjen e një fustani të ri.

“Unë gjithmonë do të jem në kërkim të pozicionit ideal të lojtarëve. Kur isha në Itali unë thosha shpesh se trajneri ishte si një rrobaqepës i cili duhet të bëjë një fustan – fustanin më të mirë për ekipin. Duhet të respektosh talentin që ka ekipi, të lojtarëve. Ti mëson dhe më pas bën ndryshimet e duhura. Tre mbrojtës, apo katër mbrojtës, tani nuk është e rëndësishme. Tani vetëm mentaliteti i duhur është i rëndësishëm, dhe të bëjmë një stërvitje të mirë.”

Italiani karizmatik ishte në humor të mirë gjatë prezantimit, ku gjithashtu zbuloi se John Terry do të vazhdojë të jetë kapiteni i ekipit. “Presioni nuk është i rëndësishëm për mua. Unë kam lindur me presion. Është normale që kur je një futbollist apo trajner te një klub i madh si Chelsea, duhet të luash për fitore, të konkurrosh për titull dhe të arrish objektivat. Unë e di që ky kampionat është i vështirë. Sezoni i kaluar ishte zhgënjyes por ne duhet të luftojmë për t’u ri-ngritur në renditje. Aty ku Chelsea-t i takon të jetë.”