VV: Vjedhje institucionale përmes njehsorëve

116

Prej paslufte, në Kosovë është paraqitur problemi i mosfunksionimit të komutatorëve të tarifave ditë-natë. Në mungesë të përkujdesjes së personelit të Distribucionit që t’i akordojnë mekanizmat kohorë dhe t’i riblombojnë komutatorët bashkë me njehsorët, sistemi matës u la i pavarur dhe i pasinkronizuar me kohën. Ky mossinkronizim rezultoi me vendosjes e tarifës së natës në pik-maje të konsumit dhe me humbje të KEK-ut, u tha sot në një koferencë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, kryesuesi i Komitetit për Energjetikë në Lëvizjen Vetëvendosje, Naim Hoxha tha se, edhe pse në listën e këtyre njehsorëve janë montuar emra gjermanë, sipas tij, këta njehsorë janë të prodhuar në Turqi.

Ai tha se edhe motivi për ndërrimin e komutatorëve nuk ishte me qëllim të përmirësimit të kohës së veprimit të tarifave, por ishte motiv korruptiv.

Hoxha, në këtë konferencë tha se ky lloj tregtimi i lirë me njehsorë është bërë për interesa private nga persona të KEK-ut, KEDS-it dhe të Ministrisë.

“Siç ndodh zakonisht, janë blerë pajisje të dyshimta, të cilësisë së dyshimtë me karakteristika joadekuate për pajisje të caktuara. Por, si pasojë e një tregtimi të lirë, të cilën e kanë shfrytëzuar persona të KEK-ut, të KEDS-it, të Ministrisë, për pasurim individual. Është fjala për 450 mijë konsumatorë, aq sa janë konsumatorë në Kosovë dhe tani llogaritet që të jenë ndërruar diku nga 250 mijë njehsorë dhe atë në një zgjedhje… të pajisjeve ku një periudhë janë blerë të një tipi të njehsorëve, periudhën tjetër pa kurrfarë arsye janë ndërruar dhe janë blerë tipe të tjera të njehsorëve dhe kjo ka qenë praktikisht një konfuzion i tipave dhe i llojeve të njehsorëve me çka është dashur që Agjencia e Metrologjisë në Kosovë me u marrë edhe me e bo njëfarë testimi. Mirëpo, në ndërkohë paraqiten gabime, paraqiten me nga 1000 KW në orë për konsume krejtësisht të vogla”, tha Hoxha.

Ndërsa, Besnik Bislimi, deputeti i Vetëvendosjes dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, tha se është e palogjikshme se si në një kompani që shitet për 6.5 milionë euro, para shitjes bën investime prej 10 apo 12 milionë euro, pasi kjo, sipas tij, i takon blerësit që ta bëjë dhe jo shitësit.

Gjithë këtë ngjarje, sipas Bislimit, e bën më misterioze vdekja e dëshmitarit kyç në këto shkelje të bëra, dëshmitar ky që ishte në burg dhe që ka vdekur nga infarkti në zemër. /KosovaPress/