Vuçiç në Kosovë: “Trepça”, jo pjesë e bisedimeve në Bruksel

173

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka vizituar të dielën pjesën veriore të Kosovës, teksa në komunën e Leposaviçit është takuar me minatorët serbë të “Trepçës”, të cilët i ka siguruar se Beogradi nuk do të lejojë që Prishtina ta kthejë kombinatin metalurgjik në ndërmarrje publike.

“Natyrisht që ne i frikësohemi ligjit për ndërmarrjet publike dhe shndërrimit të ‘Trepçës’ në pronë të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Kjo është arsyeja e ardhjes sime këtu, që problemin e ‘Trepçës’ ta diskutojmë këtu, pa tensione e fjalë të mëdha, dhe ta bëjmë të qartë se Serbia nuk do të jetë pjesë e bisedimeve për ‘Trepçën’ në Bruksel. Madje, as që do të lejojë të diskutohet për pronat e veta”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Ardhjes së Vuçiçit në Kosovë i ka paraprirë një shpërthim granate si dhe të shtëna armësh rreth orës 3 të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut, në Shtëpinë e Kulturës, ku ai kishte planifikuar të mbante një tubim, incident ky që sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur të lënduar.

Gjatë ditës Vuçiç mbajti tubimin e fushatës zgjedhore në Zubin Potok, ku konfirmoi se bombën e kishin hedhur disa serbë, por ai u shpreh se do të punojë edhe për ta dhe të ardhmen e tyre në Kosovë.

Ndërsa, deklarata e Vuçiçit se Trepça në veri të Kosovës i takon Serbisë, ka nxitur reagim të kosovarëve të cilët kanë komentuar në “Facebooku”-n e kryeministrit Isa Mustafa duke i kërkuar llogari.

Mustafa i është përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve në “Facebook” duke thënë se nuk kanë nevojë të brengosen, pasi sipas tij, qytetarët e Kosovës janë të zotët e Kosovës dhe të Trepçës.

Vizita e kryeministrit serb Vuçiç në Kosovës është bërë me leje të Qeverisë së Kosovës ndërsa ai është shoqëruar në Zveçan edhe ministra serbë të qeverisë në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit në veri të Kosovës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç i ftoi serbët që të besojnë në ndihmën e Serbisë, ndërsa u ka premtuar atyre ndihma për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve.

/ Top Channel