“Unë nuk shoh një komision në FFK që e bën punën në mënyrë profesionale, ata janë shumë të të njëanshëm dhe aspak profesionistë”

364

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës i ka shqiptuar disa dënime ditën e djeshme.

Në mesin e tyre dënime kanë pranuar edhe disa figura të larta të klubeve nga Superliga e Kosovës në futboll.

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, si dhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, u dënuan me nga 500 euro për deklarimet e tyre në televizionet kosovare.

Ka pasur menjëherë reagime të mëdha në lidhje me këto vendime, ku disa nga to vlerësuan se po tentohet të zhduket zëri kritik ndaj Federatës.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bekim Shotani, tha se duhet të ruhet gjuha e komunikimit, por poashtu se këto dënime nuk po bëhen në mënyrën e duhur.

Mendoj se është shumë më e rëndësishme të ruhet gjuha e komunikimit, sepse po dikon në ecurinë e kampionatit. Trajnerët duhet të ruajnë gjuhën e komunikimit pasi po ndodhë që në disa raste ata po dalin jashtë kontekstit. Federata po i dënon për shkak të gjuhës së folur, por ata nuk duhet të dënohen më të holla. Dënimi duhet të bëhet në forma të tjera” tha fillimisht Shotani.

Më pas ai tha se nuk sheh asnjë komision në Federatë që e kryen punën e tij në mënyrë profesionale, madje ai tha se njerëzit brenda tyre janë të njëanshëm dhe aspak profesionistë.

Sa i përket standardeve të dyfishta në dënime nuk është në rregull, sepse e përkeqëson situatën. Unë nuk shoh një komision në Federatë që e bën punën në mënyrë profesionale. Ata janë shumë të të njëanshëm dhe aspak profesionistë. Shoqata e trajnerëve është duke fjetur dhe nuk ka asnjë reagim për të mbrojtur trajnerët. Prandaj, një vërejtje edhe për shoqatën e trajnerëve e cila nuk ka guximin të dalë me komunikim dhe mbrojtje për trajnerin”, përfundoi Shotani për GazetaBlic Sport.