UEFA: Euro 2016 me dyer të hapura

154

“Kemi besim se të gjitha masat e sigurisë që do të merren do të garantojnë një europian të sigurt dhe festiv, prandaj nuk parashikohet që Euro 2016 të zhvillohet me dyer të mbyllura”. UEFA publikon qëndrimin zyrtar pas sulmeve terroriste në Bruksel që hodhën hije dyshimi edhe për gjithë kompeticionin pasi në orët e para, zërat për anulimin e evenimentit u shtuan në mënyrë të ndjeshme. Gjithsesi, organizata europiane e futbollit me qendër në Nyon qetësoi gjithë opinionin publik me deklaratën që konfirmon se asgjë nuk ka ndryshuar në planet e UEFA-s dhe autoriteteve franceze për organizimin e kompeticionit më të madh futbollistik të kontinentit.

Vetëm pak orë më parë,zv/presidenti, Giancarlo Abete la të kuptohej se ekzistonte mundësia që ndeshjet të luhen pa tifozë, por drejtuesit më të lartë të UEFA-s vlerësuan situatën duke siguruar organizatorët dhe skuadrat pjesëmarrëse se planet nuk kanë ndryshuar. Qëndrimi i UEFA-s nuk sqaron asgjë në lidhje me ndeshjet miqësore edhe pse tashmë është zyrtar anulimi i takimit mes Belgjikës e Portugalisë. Janë institucionet e sigurisë së vendeve pritëse të ndeshjeve që do të vlerësojnë situatat sipas rastit, por aktualisht të gjitha takimet, përveç sfidës së Brukselit janë në program dhe nuk është parashikuar shtyrje.