Tronditet Napoli, ja për sa javë pezullohet Higuain

165

Ambiciet e Napolit drejt titullit kampion në Itali marrin një goditje të fort. Sikur të mos mjaftonin 6 pikët distancë nga Juventusi kryesues, tashmë erdhi edhe vendimi i Disiplinorit, që pezulloi për 4 ndeshje Gonzalo Higuain. Golashënuesi më i mirë i Serisë A dhe njeriu që po udhëhiqte skuadrën e Sarrit drejt ëndrrës, u dënua për episodet në ndeshjen ku të kaltërit u mposhtën 3-1 nga Udinese. Pasi realizoi golin e barazimit të përkohëshëm, i 30-ti sezonal për të, në minutën e 75-të Higuain u ndëshkua me karton të kuq. Sulmuesi reagoi ashpër ndaj gjyqtarit Irrati dhe kundërshtarëve në fushë.

Ishte pikërisht sjellja e keqe sportive ajo që ndikoi të rriste pezullimin e lojtarit, që prej kartonit të kuq do të humbasë sfidën ndaj Veronas në San Paolo. Ndërkohë, prej sjelljes anti-sportive, Gonzalo Higuain nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë Napolin në ndeshjet vendimtare në garën për titull kundër Bologna-s, Inter-it e Romës.

Një ndëshkim me përmasa Biblike për Napolin. Kjo edhe për faktin se në sfidën e kësaj fundjave ndaj Veronas, për të kaltërit i pezulluar është edhe trajneri Maurizio Sarri, që u largua nga fusha gjatë ndeshjes me Udinesen. Të tjera mungesa ndaj verdhebluve do të jenë edhe Koulibaly e Mertens që kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.