“Treguam se si luftohet për fitore”

161

Vushtrria të shtunën mbrëma fitoi 22:21 ndaj Istogut në ndeshjen e tretë finale, shkruan Zeri.info.

Vushtrriaset u shpallen kampione për këtë sezon, pasi triumfuan 2-1 në serinë finale.

Njomza Kelmendi ndali gjuajtjen e Esma Muratoviqit në sekondën e fundit për t’ia mundësuar Vushtrrisë të fitoj titullin.

Portierja e Përfaqësueses së Kosovës shkëlqeu në pjesën e parë të ndeshjes me 7 pritje ndërsa doli në skenë edhe në momentin vendimtar.

“Loja e hendbollit luhet 60 minuta. Luftuam dhe nuk u dorëzuam pavarësisht rezultatit. Në stërvitje fitohen medaljet e trofetë, në lojë vetëm kurorëzohet puna. Ne treguam që nuk jemi rastësisht në finale dhe se si duhet të luftohet çdo moment për fitore. Vushtrria është qytet i hendbollit dhe këtë e dëshmoi edhe në Istog”, ka thënë Kelmendi për faqen zyrtare të FHK-së.

Sopjani: Jemi ekipi më luftarak

Me lojë të mirë është shquar edhe Luljeta Sopjani. Ajo realizoi golin për barazimin 21:21, në minutën e 59-të.

“Me lojën e sontme kemi treguar që jemi ekipi më luftarak dhe nuk dorëzohemi asnjëherë pavarësisht rrethanave. Synimi i vetëm ka qenë fitorja, andaj sot e dëshmuam më së miri dëshirën që kishim për fitore.

Pavarësisht nënvlersimeve, ne kemi treguar se kështu luftohet për ngjyrat e ekipit”, ka thënë Sopjani.

Donita e golit të fitores Golin e fitores për Vushtrrinë e shënoi Donita Kasumi, që ishte më efikasja në skuadër. Ajo, si gjithë të tjerat, është shquar me angazhim.

“Kemi luftuar me zemër deri në fund dhe kjo na solli fitoren. Kemi dëshmuar se jemi qytet i hendbollit dhe puna që kemi bërë na është shpërblyer me titull. Ndonëse kemi qenë duke humbur nuk jemi dorëzuar dhe kemi marrë atë që kemi synuar”, ka theksuar Kasumi.