Tovërlani-Munishit: Haje bukën tënde

333

Pas humbjes nga Liria, trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi nuk dukej në humor të mirë, derisa indirekt sulmoi edhe klubet tjera pa përmendur emra, por deklarata e tij më së shumti peshonte te rivali kryesor i tij për titull, Feronikeli.

“Liria fitoi me plotë meritë, sot luajtën mirë. Kjo humbje nuk do të thotë asgjë, ka ndeshje shumë dhe do të mobilizohemi. Të gjitha pikët i kemi bërë me meritë, me djersë, dhe kështu do të vazhdojmë. Do të fitojmë pa kalkulime dhe nuk do të investojmë në referë, nuk do të japim premia për ekipet tjera”.

Lidhur me deklaratën e Munishit, por edhe deklaratat tjera që rëndojnë mbi klubin e tij, ka folur trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, i cili ka qenë i shkurtër.

“Unë nuk merrem me deklaratat e tjerëve kush çka thirr. Nuk kam kohë për deklarata dhe punët e tjerëve, sepse nuk më mbetet kohë për punët e mia. Një fjalë e urtë popullore thotë: haje bukën tende e merru me punët tua dhe jo haje bukën tende e të merresh me punët e huaja”, theksoi Tovërlani për Gazetën Sheshi.

Feronikeli dhe Hajvalia janë dy kandidatët kryesorë për titull të kampionit. Aktualisht, skuadra nga Drenasi i prinë renditjes me tri pikë më shumë se ekipi nga paralagja e Prishtinës.