Topi i Arte, Ronaldo “kërcënon” Messin

169

Lionel Messi është i paralajmëruar. Forma e dobët e argjentinasit që nuk arrin të shënojë në kampionat që prej 4 ndeshjesh, përkon me shpërthimin e Cristiano Ronaldos që me tregolëshin ndaj Wolfsburgut u rikthye sërish në qendër të vëmendjes. Statistika të pabesueshme po regjistron portugezi gjatë muajve të fundit, duke hedhur sërish kandidaturën për një tjetër Top të Artë. Me tre rrjetat ndaj gjermanëve ai e çon në 16 numrin e golave sezonalë në Europë dhe 94 në total në këtë kompeticion. Messi në krahun tjetër mbetet në kuotën 83. Asnjëherë më parë ai nuk ka dështuar në çerekfinale pasi ishte hera e 9 nga 9 në total që siguron një biletë mes 4 më të mirave, ndërsa në 36 sfidat e luajtura me eliminim direkt në Champions League, portugezi ka shënuar plot 34 herë. Rilindja e Ronaldos vjen në momentin më delikat për të pasi vetëm pak javë më parë përflitej një lamtumirë e mundshme nga Madridi por ai rikonfirmohet sërish jetik për Realin e Madridit dhe shifrat i japin të drejtë.

Një tjetër gol me peshë ishte edhe ai i shënuar në El Clasico ku “luzitani” i dha një shuplakë të rëndë Barcelonës që nuk arrin të shikojë dritë në fund të tunelit në kampionat. Ajo disfatë peshoi në moralin e katalanasve që humbën madje edhe në San Sebastian, duke ndier frymëmarrjen e rivalëve madrilenë në klasifikim edhe pse përpara El Clasicos, çështja titull konsiderohej e mbyllur. Një lojtar që edhe pse tashmë e ka kaluar kufirin e 30 viteve e gjen me një lehtësi të pabesueshme rrugën e rrjetës. 42 ndeshje të luajtura në La Liga dhe Champions me 46 realizime. Zidane nuk është aspak diplomatik, ai e pranon se Ronaldo arrin të bëjë diferencën në fushën e lojës. Lionel Messi është i paralajmëruar sepse Cristiano Ronaldo nuk njeh limite, Topi i 4 i Artë nuk është thjesht një iluzion, “luzitani” është rikthyer më në formë se kurrë.