Tohir i jep borxh vetes për arkat e Interit

124

Një Inter i çmendur në fushë, por jo më pak të çuditshme janë edhe lëvizjet që po bëhen në kryesinë e klubit për të mbrojtur bilancet, duke parë që edhe ky sezon vështirë se do të sjellë kapitale të freskëta ekonomike dhe shumë të rëndësishme nga Liga e Kampioneve.

Duke iu referuar “Quotidino Sportivo”-s, presidenti zikaltër, Erik Tohir, ka vendosur që të shtojë 108 milionë euro si kapital, fryt i një vetëfinancimi, por me të drejtë kthimi.

E thënë më qartë, miliarderi nga Indonezia do të marrë parà borxh nga një prej kompanive të tij, pra do t’i japë vetes një borxh, për të balancuar bilancet e skuadrës, për të mbajtur në këmbë ekonominë zikaltër, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i shmanget një tjetër paralajmërimi dhe gjobe nga UEFA, që vijnë në lidhje me mosrespektimin e normave të “fair-play”-t financiar.

Nga ana tjetër, grupi “Goldman Sachs”, që administron kapitalin e indonezianit, vazhdon të kërkojë investitorë të rinj në Kinë, të cilët mund t’i bashkohen skuadrës. Pa dyshim që kjo shtesë kapitali prek në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe aksionarin e dytë në skuadër, Masimo Moratin.

Në bazë të kontratës së shitjes së mazhorancës së aksioneve, edhe ish-presidenti, në çdo shtesë kapitali nga ana e “padronit” të klubit, duhet të shtojë disa miliona euro, sepse, në të kundërt, kjo mungesë kontributi do të konvertohej në reduktimin automatik të aksioneve që ka në “dorë” aktualisht Morati.

Natyrisht që kjo situatë mund të shmangej shumë shpejt, nëse udhëtimet e shpeshta të Erik Tohirit mes Kinës dhe Anglisë do të sillnin në klub ndonjë grup ose kompani të fuqishme, e cila do të ishte e gatshme që, përveç blerjes së disa aksioneve, të sillte edhe disa miliona euro të rëndësishme, për të forcuar edhe më shumë kapitalin e përgjithshëm të Interit, mbi të gjitha borxhin, i cili, pas vlerësimit dhe aprovimit të bilancit të sezonit të kaluar, ishte rritur në 140 milionë euro. Me pak fjalë, kjo është një tjetër betejë e ashpër, të cilën Tohir dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të fitojnë.

/Panorama Sport/