Titulli i 5-të radhazi, tashmë një formalitet për Juventusin

140

Takimi me historinë është më pranë për Juventusin e Massimiliano Allegrit. E Diela e Serisë A, ishte e gjitha në favor të bardhezinjëve që falë ndalesës së Napolit në sfidën ndaj Udineses tashmë kanë 6 pikë avantazh ndaj të Kaltërve të Sarrit në klasifikim. Kur mbeten edhe 7 javë deri në përfundim të sezonit, 6 pikët epërsi duken si një garanci, kjo edhe për faktin se Juventusi nuk di të ndalet pasi në 21 ndeshjet e fundit ka grumbulluar 61 pikë nga 63 të mundshme. Por në garën për titull Zonjën e Vjetër nuk e favorizon vetëm avantazhi që ka në renditje por edhe kalendari. Në 7 javët e mbetura dy sfidat më delikate për Juventusin konsideron dy transfertat ndaj Milanit dhe Fiorentinës, dy skuadrave që po zhgënjejnë gjatë muajve të fundit dhe që maksimumi që mund të arrinë nga ky sezon është të kualifikohen në Europa League. 5 takimet e tjera bardhezinjtë i kanë ndaj Palermos, Lazios, Carpit, Veronës dhe Sampdorias, të gjithë kundërshtarë mëse të kalueshëm.

Në ndryshim nga Juventusi, Napoli luan dy transferta akoma edhe më të forta ndaj Interit dhe Romës, dhe  për më tepër duhet të bëjë edhe golashënuesin më të mirë të këtij sezoni, argjentinasin  Gonzalo Higuain i cili pas kartonit të kuq që mori ndaj Udineses pritet të skualifikohet për disa takime. Pavarsisht problemeve edhe nëse të Kaltërit i fitojnë të 7-ta takimet e mbetura, misioni për të mbrritur te titulli kampion është thuajse i pamundur për ta, pasi është vështirë të imagjinosh që në 7 ndeshjet e fundit, ky Juventus mund të humbasë dy prej tyre ose të barazojë 3. Në të kaluarën bardhezinjtë kanë fituar 5 tituj radhazi nga 1930-ta në 1935-n, të njëjtën gjë ka bërë edhe “Grande Torino”, vite më pas dhe Interi përpara disa sezonesh. Nëse vazhdojnë me këto ritme, bardhezinjtë e Allegrit me shumë gjasa do ta regjistrojnë sërish një ecuri të tillë, duke fituar 5 Scuddetto radhazi.