“Tërmet” te Juvja, pas Chielinit ndalen edhe Dybala e Marchisio

161

Telashet në shtëpinë bardhezi nuk për fundojnë kurrë, sepse dëmtimet vazhdojnë të jenë në rend të ditës dhe sa më të rëndësishme të jenë ndeshjet, aq më të shumta bëhen ato.

Në pritje të të ashtuquajturës “ndeshja e sezonit”, Juventusi duhet të përballet edhe me numrin më të madh dhe të rëndësishëm të dëmtimeve.

Pas konfirmimit të mungesës së mbrojtësit Giorgo Chiellini, në stërvitjen e ditës së martë janë ndalur edhe dy titullarë të tjerë të padiskutueshëm, Claudio Marchisio dhe Paulo Dybala. Mesfushori ka hasur një tërheqje të gradës së dytë, e cila do t’i kushtojë nga 20-30 ditë qëndrimi jashtë fushave të lojës.

Ndërkohë, për sulmuesin argjentinas dhe liderin e “Zonjës së Vjetër” është konstatuar një hematomë në pjesën e sipërme të kaviljes, e cila i kushton atij jo vetëm mosgrumbullimin për transfertën e Mynihut, e vlefshme për ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të finaleve të Champions-it, por me shumë mundësi edhe derbin e të dielës, në kampionat, kundër Torinos.

Pa dyshim që mungesa të tilla për Masimiliano Alegrin janë më shumë sesa të rëndësishme, pasi një lajm i tillë mund të ndikojë jo vetëm në cilësi, por edhe në anën psikologjike të skuadrës.

Sikur të mos mjaftonin këto, edhe Mario Mandzukic, i cili është stërvitur dje me pjesën tjetër të skuadrës, nuk është se i ka kaluar plotësisht problemin e tij fizik që e shqetësoi kundër Sasuolos, por kroati duket se do të shtrëngojë dhëmbët dhe pritet në fushë si titullar. Kundërmasat e Alegrit, duke parë të gjitha këto probleme, trajneri i bardhezinjve pritet të konfirmojë një formacion 4-4-2.

Zgjedhjet e “Kontit Maks” duken të detyruara, ku përveç të padiskutueshmit Bufon në portë, mbrojtja pritet të formohet nga Evra dhe Lishtajner, respektivisht në korsitë anësore (francezi në të majtë dhe zvicerani në të djathtë), me Bonucindhe Barzaglin në qendër të prapavijës.

Në mesfushë, Pogba pritet të lëvizë në anën e majtë, ndërkohë që Khedira, në mungesë të Marchisio, do të ketë në qendër përkrah brazilianin Hernanes, i cili do të ketë detyra që të shpërndajë edhe lojën, me Cuadradon në të djathtë. Për sa i përket sulmit, Mandzukic do të bëjë kopje me spanjollin Morata, ndonëse një surprizë e mundshme mund të jetë edhe Zaza, ndonëse të paktën në letër janë këto indiciet që vijnë nga stërvitja e fundit.

/Panorama Sport/