Tahiri: Kosova në Bruksel do të kërkojë nga Serbia dëmshpërblim për luftën e fundit

235

Dinamika e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit ka rënë dukshëm këtë fillim vit. Zhvillimet e brendshme politike në këto dy qendra, kanë lënë prapa edhe marrëveshjet e nënshkruara, të cilat në shumicë kanë mbetur vetëm të shkruara në letër edhe përkundër presioneve dhe kërkesave nga faktori ndërkombëtarë.

Megjithatë, Kosova do të ketë një agjendë të re në bisedimet politike me Serbinë, duke prekur temat e nxehta për të cilat Prishtina zyrtare ka interes, përfshirë këtu, pensionet, zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë, demarkacioni i kufirit me Serbinë, e deri tek çështja e dëmshpërblimeve që Kosova duhet të kërkojë nga Serbia për dëmet dhe humbjet e mëdha që i ka shkaktuar vendit në kohën e luftës së fundit.

Kryenegociatorja nga Prishtina për dialogun teknik Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri mendon se procedura e zgjedhjeve në Serbi do ta shtyjë procesin e dialogut.

Tahiri përmes linjës telefonike i tha KosovaPress-it se dialogu i Brukselit dhe angazhimi i dyja shteteve në dialog, në raund të parë zgjidhet me perspektivën evropiane të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se Serbia edhe më tej ka paqartësi në politikën e jashtme, ngase ata ende janë në mes të Moskës dhe Brukselit.

“Ne kemi bërë publike listën e temave për të cilat ne jemi të interesuara, tani po u jap temat kryesore. E para është demarkacioni i kufirit ndërshtetërorë mes dy shteteve, e dyta është që të zhbëhen gjithë strukturat paralele serbe në Kosovë që është edhe një kusht themelor për themelimin e asociacionit. Natyrisht ky proces vjen pasi që fillojmë hartimin e statutit që ende nuk e kemi filluar. Do të formohet grupi tre palësh në Bruksel për të shpërbërë strukturat paralele të Serbisë. Pastaj kemi çështjet e reparacioneve të luftës siç është çështja e të pagjeturve, pastaj kthimi i fondit pensional për gjithë pensionistët që nga koha e ish Jugosllavisë të cilët kanë gëzuar këto pensione por për fat të keq Serbia i ka uzurpuar këto fonde pensionale. Pastaj vjen depozita bankare, pastaj vinë dëmshpërblimet për luftën që janë bërë në Kosovë nga Serbia në të gjitha aspektet, çoftë dëme njerëzore, çoftë materiale, kulturore, fetare etj. Pastaj vjen faza e daljes së pasurisë sipas parimit ndërkombëtarë të suksesionit. Si dhe finalizimi i procesit është me njohje reciproke mes dyja shteteve”, tha Tahiri.

Tutje, Edita Tahiri për KosovaPress tha se pas zgjedhjeve në Serbi do të mund të ndodhë që mes Prishtinës dhe Beogradit të krijohen temat e reja për dialog. /KosovaPress/

– See more at: http://www.kosovapress.com/sq/politike/tahiri-kosova-ne-bruksel-do-te-kerkoje-nga-serbia-demshperblim-per-luften-e-fundit-66222/#sthash.9a7anIlG.dpuf