Stolat me ngjyrat e flamurit serb, tifozët nuk i duan

160

Stadiumi “Loro Boriçi” është në fazën finale të punimeve. Ka nisur puna me lyerjen e tij dhe gjithashtu janë duke u vendosur stolat.

Ngjyra e tyre pritej që të ishte një “formë dhurate” për ekipin vendës të Vllaznisë, pra stola të kuq dhe blu. Megjithatë, nuk duket se ka ndodhur plotësisht kështu. Ndonëse në “Elbasan Arena” është tentuar të formësohet simbolikisht flamuri ynë kombëtar me sfond të kuq dhe me një shqiponjë të zezë, në Shkodër nuk ka ndodhur diçka e tillë. Përkundrazi, kombinimi i ngjyrave ngjan me flamurin serb.

Stolat në “Loro Boriçi” do të jenë blu (bojëqielli), e bardhë dhe e kuqe, duke e marrë nga pjesa e sipërme deri në stolat më pranë fushës. Prej ditësh ka nisur vendosja e stolave në impiantin e rikonstruktuar dhe referuar deklaratës së Arben Dervishajt, anëtari i Komitetit Ekzekutiv pranë FSHF-së pak ditë më parë në “Panorama Sport”, kjo procedurë mund të përfundojë brenda rreth 15 ditëve.

Në atë që është parë në terren, janë tri ngjyrat e përdorura për stolat në impiant: Blu ose më saktë “bojëqielli”, e bardhë dhe e kuqe. Në pamje të parë, është një përngjasim me ngjyrat që përmban flamuri serb. Në rrjetet sociale, në faqe të ndryshme me shumë ndjekës që e kanë shpërndarë këtë foto, ka pasur komente të shumta dhe e kanë kundërshtuar vendosjen e stolave në një formë të tillë.

Tifozë të shumtë e kanë kundërshtuar përzgjedhjen e këtyre tri ngjyrave, që janë ato të flamurit serb. Gjithashtu, ka pasur të tjerë që kanë dashur ta shohin këtë si simbolikën e ngjyrave të Vllaznisë dhe e kanë justifikuar.