Stadiumi i kombëtares ende nuk është gati

181

Një tjetër premtim i FSHF-­së dhe i qeverisë shqiptare për përfundimin e stadiumit “Loro Boriçi” nuk është mbajtur. U deklarua se në fund të marsit gjithçka do të kishte marrë fund, madje stadiumi do të inagurohej me një ndeshje miqësore të kombëtares shqiptare.

Bëhej fjalë për miqësoren e djeshme, por gjërat morën rrjedhë tjetër. Ndoshta ngaqë nuk u sigurua asnjë miqësore për t’u luajtur këtu, por edhe ngaqë stadiumi ende nuk ka përfunduar.

Impianti sportiv ka nisur të marrë tashmë formë. Punimet në stadiumin “Loro Boriçi” kanë ecur ndjeshëm. Fusha është gati për të pritur futbollistët, stolat janë vendosur thuajse tashmë përfundimisht, edhe tribuna qendrore ka filluar të marrë formë.

Megjithatë, duhet ende shumë punë për të përfunduar së ndërtuari ky impiant sportiv. Një tjetër premtim i federatës, për ta përfuduar në muajin mars, nuk u mbajt.

Tashmë duhet të presim një tjetër premtim, duke shpresuar që ai të jetë i afërt.

Mbetet për t’u parë edhe se çfarë do të bëhet me shtëpitë rreth e qark stadiumit, sepse pas ankesës tek Avokati i Popullit, duket se kanë shpresa për mosprishjen e tyre. Ka zëra, në fakt, se edhe cilësia e punimeve të kryera në stadium nuk është shumë e mirë, megjithatë kjo është çështje tjetër. E rëndësishme është që “Loro Boriçi” tashmë të përfundojë sa më parë dhe sytë janë nga vera e këtij viti.