Stadiumet aktuale “llom”, ai kombëtar askund

152

Më 3 maj në Budapest të Hungarisë do të mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-së, me ç’rast do të votohet edhe pranimi i futbollit kosovar.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri është optimist se me këtë datë do të thyhet njëherë e përgjithmonë bllokada e padrejtë që i është bërë vendit.

Në rast të pranimit, Kosova do të ketë të drejtë pjesëmarrje në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, por sfidë e madhe mbetet infrastruktura.

Njëri nga stadiumet, i Prishtinës apo ai i Trepçës në Mitrovicë mund t’iu bëjë ‘konak’ Përfaqësueseve tjera, por duhet të investohen miliona për të përmirësuar gjendjen e tyre.

Për gjendjen jo të mirë të tyre konstatoi edhe delegacioni i lartë i UEFA-s e FIFA-s që vizitoi Kosovën në mesjavë.

Megjithatë, aty duhet të punohet shumë, pasi stadiumi kombëtar i planifikuar të ndërtohet në Bërnicë është larg të jetësohet.

Saktësisht para një viti, Komisioni prej dhjetë anëtarësh për vlerësimin e kërkesës për aprovimin e lokacionit për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës në Prishtinë, ishte përcaktuar për parcelën ku do të ngrihet ky gjigant.

Komisioni iu kishte drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesë zyrtare për ndarje të parcelës 14-hektarëshe në Bërnicë, por deri më tash nuk ka pasur asnjë lëvizje, pasi shpronësim i tokave është çështje e Qeverisë së Kosovës, investitorit kryesor të stadiumit kombëtar.

Megjithatë, së fundmi ka pasur një lëvizje të vogël në këtë drejtim, pasi lënda ka kaluar në Qeverinë e Kosovës.

Drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj, që është edhe një nga anëtarët e këtij Komisioni, pohon se ka informata që Qeveria së shpejti do ta fusë në rend të ditës edhe këtë pikë.

“Të gjitha matjet xheodezike janë bërë dhe tashmë i mbetet Qeverisë së vendit të merret me shpronësimin e hapësirës. Lënda është proceduar dhe sipas informatave që kam, së shpejti pritet të jetë në rend të ditës edhe kjo pikë. Nëse kërkohet ndonjë material shtesë ne jemi të gatshëm për gjithçka”,  është shprehur Alaj për Gazetën Sheshi.

Ishte paraparë që stadiumi të jetë i gatshëm më 2018, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë, pasi punët nuk kanë shkuar sipas planit të paraparë.

Gazeta Sheshi merr vesh se punimet mund të fillojnë vetëm në vitin 2017, pasi 2016-ta do të kalojë me çështje procedurale, kryesisht me shpronësimin e hapësirës që do të marrë goxha kohë.

Pas kësaj, hapi i radhës është shpallja e tenderit nga Qeveria.

Sipas parashikimeve nga ekspertët e kësaj fushe, nëse nisin ndërtimet në muajt e parë të vitit 2017 dhe punohet intensivisht, atëherë stadiumi kombëtar mund të jetë i gatshëm vetëm në vitin 2020.

Realizimi i këtij projekti do të kushtojë rreth 10 milionë euro.