Sqaron Presidenca: Djali i Thaçit udhëtoi në Rio me buxhet personal

173

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se pjesëmarrja e Endrit Thaçit, djalit të të presidentit Hashim Thaçi, në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në Brazil është bërë me shpenzime personale dhe jo me para të buxhetit të Kosovës.

“Zyra e Presidentit nuk ka paguar asnjë shpenzim për udhëtimin e djalit të presidentit Hashim Thaçi në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit, së bashku me delegacionin shtetëror. Shpenzimet e tij janë mbuluar nga buxheti personal”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Presidentit Hashim Thaçi dhënë gazetës “Zëri”.

Pjesëmarrja e djalit të presidentit në “Rio 2016” dhe ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, por jo edhe e ministrit të Sportit, Kujtim Shala, ka shkaktuar reagime të mëdha në vend, me arsyetimet se evenimenti më i madh i sportit në botë nuk duhet shfrytëzuar si një mundësi ”për t’i kënaqur familjarët dhe bashkëpartiakët”.