Sqaron Mustafa: “Dialog” do të thotë bashkëbisedim!

182

Në prag të 17 shkurtit, datës së paralajmëruar për protestë nga ana e opozitës së bashkuar po afrohet, kryeministri Mustafa ka postuar në llogarinë e tij të re në Facebook qëndrimin e tij mbi metodat e zgjedhura nga opozita për kundërshtimin e marrëveshjeve mbi Asociacionin e Komunave Serbe, respektivisht demarkacionin me Malin e Zi.

Postimin e tij e ka nisur me shpjegimin gjuhësor të “dialogut”, duke iu referuar fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, në të cilin dialogu shpjegohet si “bashkëbisedim; rrahje e një çështjeje nga dy a më shumë veta duke biseduar drejtpërdrejt”.

“Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime. Në qoftë se, vërtet partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to. Mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme”, thuhet tutje.

Ai gjithashtu ka bërë edhe njëherë thirrje për bashkëbisedim me opozitën, “para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“Bashkëbisedimi është kulturë e jona familjare e shoqërore, sepse ashtu gjejmë zgjidhjet dhe i argumentojmë ato. Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike. Ultimatume japin vetëm ata që përcaktohen për forcë e dhunë. Pasqyrat e pasojave nga sjelljet e tilla sot i shohim në kryelajmet botërore. Kosova ka nevojë për kryelajm, por ky kryelajm duhet të ishte sinergjia jonë për ta ndërtuar këtë vend. Jo, konflikti dhe përçarja! IM”, thuhet në fund të postimit të Mustafës.