Spurs te pandalshëm në play-off, fitojnë edhe Cavaliers

103

San Antonio Spurs fitoi ndeshjen e parë të fazës play-off në NBA-in amerikan, duke shkatërruar 106-74 Memphis Grizzlies. Në AT&T Center, Spurs u shfaqën superiorë në të gjitha aspektet përballë rivalëve, duke e mbyllur gjysmën e parë të ndeshjes në avantazhin e 11 pikëve. Diferenca u rrit në dy periodat e mbetura, me sfidën që përfundoi me 32 pikë avantazh për San Antonio-n, ku Leonard realizoi 20 pikë, të cilave u shtohen 17 nga Aldridge dhe 15 nga Tony Parker.

Më i ekuilibruar dueli në Quicken Loans Arena të Cleveland. Cavaliers vuajtën, por në fund triumfuan 106-101 përballë Detroit Pistons, falë 81 pikëve të realizuar në total nga treshja LeBron James, Kyrie Irving dhe Kevin Love. King James realizoi 22 pikë e dha 11 asist, Love 28 pikë dhe 13 rikuperime nën tabelë, ndërsa Irving realizoi 31 pikë.

Los Angeles Clippers mposhtën pa probleme 115-95 Portland Trail Blazers në Staples Center. Për ekipin kalifornian, tre lojtarë e mbyllën sfidën në shifra dopio: Chris Paul 28 pikë dhe 11 asist, Blake Griffin 19 pikë dhe 12 topa të rikuperuar dhe DeAndre Jordan 18 pikë dhe 12 rikuperime nën tabelë. Te Portland, nuk mjaftoi vetëm Lillard, autor i 21 pikëve.

Në fund, përballja e Miami Heat me Charlotte Hornets i ngjasoi një shëtitje, falë 31 pikëve të Luol Deng, të cilave u shtohen edhe 21 pikët dhe 11 topat e rikuperuar nën tabelë nga Hassan Whiteside, me këtë të fundit që debutoi në ndeshjet play-off.