Skuadrat që kanë shpenzuar më së shumti në tregun e transferimeve deri më tani

154

Gjatë kësaj vere lëvizjet në tregun e transferimeve kanë qenë të shumta ndërsa shifrat e shpenzuara shumë të larta.

Pak ditë më parë Manchester United bëri blerjen më të shtrenjtë në historinë e futbollit duke transferuar në Old Trafford, Paul Pogba për plot 105 milionë euro, megjithatë nuk janë Djajtë e Kuq klubi që kanë shpenzuar më shumë para deri tani në transferimet, por kushërinjtë e të njëjtit qytet.

Me 190,1 milionë euro të shpenzuara në merkato Manchester City i Pep Guardiolës është klubi që ka bërë transferimet më të shtrenjta në këtë merkato, me synimin për të përforcuar sa më shumë grupin aktual të lojtarëve.

Citiziens kanë shtuar radhët me tetë lojtarë dhe blerja më e shtrenjtë është ajo e mbrojtësit John Stones për 55 milionë euro nga Evertoni. Leroy Sane është një tjetër lojtar që u ka kushtuar shtrenjtë arkave të City-it, plot 50 milionë Euro, ndërsa kartoni i brazilianit  Gabriel Jesus i kushtoi skuadrës angleze 32 milionë Euro, por 19-vjeçari do ti bashkohet skuadrës së Guardiolës vetëm në muajin Janar.

Një tjetër emër i rëndësishëm i afruar te Manchester City është Ilkay Gundogan për të cilin Citiziens shpenzuan 26 milionë euro. Në vendin e dytë përsa i përket klubeve që kanë shpenzuar më shumë në tregun e transferimeve pozicionohet me të drejtë Manchester United.

Drejtuesit e Djajve të Kuq për t’i vënë në dispozicion trajnerit Jose Mourinho lojtarë të tillë si Paul Pogba, Eric Bailly apo Henrik Mkhitarayan kanë nxjerrë nga arkat e klubit shumën e 185 milionë eurove. Pas dy skuadrave të Manchesterit  është Juventusi që pozicionohet në shkallën më të ulët të podiumit pasi bardhezinjtë janë klubi i tretë që kanë shpenzuar më shumë para në merkato.

157 milionë Euro është shifra e harxhuar nga piemontezët në këtë merkato për të të transferuar në Torino shtatë lojtarë.  Vetëm, kartoni i Higuain i kushtoi Juves 90 milionë euro ndërsa blerje të rëndësishme mund të konsiderohen edhe ato të Miralem Pjanic dhe Marko Pjacas.