Skuadra me traditë rrezikon të mos i nis garat

333

Para dy edicionesh ishin pjesë e Superligës, kurse tani rrezikojnë të mos i nisin garat në Ligën e Parë.

Fjala është për Fushë Kosovën që ende nuk i ka nisur përgatitjet për edicionin e ri të Ligës së Parë që nis më 27 gusht.

Burime të Gazetës Sheshi brenda klubit zbulojnë se mungesa e financave ka shkaktuar krizë të madhe dhe nëse brenda pak ditësh nuk do të ketë ndonjë lëvizje në këtë aspekt, ekziston mundësia që ekipit të mos i nis garat në Ligën e Parë, ose të luajë me juniorë.

Ndryshe, futbollistët kryesorë ua kanë bërë me dije kryesisë aktuale që pa u shlyer borxhi i edicionit të kaluar, nuk do të dalin në stërvitje.

Aktualisht, i vetmi që ka mbetur në kryesi është Nysret Rexhepi, të cilit i është kërkuar nga Komuna që të formojë kryesinë e re, por deri më tash nuk ka lëvizje për arsye që ende nuk dihen.

Gjithsesi, problemi me financa te Fushë Kosova nuk është i rastësishëm, pasi skuadra është përballur me diçka të tillë në dy edicionet e fundit.

Madje, në kampionatin e kaluar futbollistët kishin bojkotuar edhe një ndeshje kampionale.