Siri, forcat speciale britanike në front

180

Vendet perëndimore i kanë thënë “jo” me forcë dërgimit të trupave tokësore në Siri, por duket se forcat speciale bëjnë përjashtim nga ky rregull. BBC publikoi foto ekskluzive të forcave speciale të ushtrisë britanike që operojnë në terren në Siri.

Në foto shfaqen mjetet e motorizuara Talab, të ndërtuara enkas për terrene të vështira dhe që janë transporti i preferuar i forcave speciale, në këtë rast të forcave speciale britanike. Kjo është hera e parë që shihen forcat speciale britanike në terren. Raportohet se fotot janë bërë në qershor, pas një sulmi të Shtetit Islamik ndaj bazës Al Tanaf të rebelëve sirianë, në afërsi të kufirit me Irakun.

BBC, bazuar në fjalët e dëshmitarëve okularë, shkruan se forcat speciale ishin aty në rol difensiv, por ushtarët britanikë shfaqen me një arsenal të tërë pajisjesh dhe armësh si pushkë të precizionit të lartë, mitralozë të rëndë dhe raketa antitank.

Nëse Shtetit Islamik do të sulmonte sërish, rezistenca do të ishte tepër e madhe dhe nëse forcat më vdekjeprurëse të ushtrisë britanike do të hidheshin në sulm, nuk dihet se ç’ mund të ndodhte. Krerët e rebelëve sirianë refuzuan që të komentojnë fotot, por pranuan që forcat speciale britanike bashkë me ato amerikan i stërvisin. E vështirë të mendosh që forcat elitë të një ushtrie të jenë në fushëbetejë për të dhënë leksione dhe jo për të marrë pjesë në përleshje.

Pyetur nga mediat, Ministria Britanike e Mbrojtjes nuk bëri asnjë koment me përjashtim të lajmërimit se rregullat nuk lejojnë diskutimin e aktivitetit të forcave speciale të ushtrisë.

/ Top Channel