Shpërthen sërish dhuna në sportin shqiptar, një lojtar goditet me grusht dhe bie pa ndjenja

202

Skandal në basketbollin shqiptar, teksa rikthehet dhuna në parket. Në sfidën e Kategorisë së Parë midis Kamzës dhe Elbasanit të zhvilluar të shtunën në palestrën e Bathores, ka plasur grushti në parket. Nga sherri, lojtari i Elbasanit, Bruno Skëndaj ka rënë pa ndjenja dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore pas goditjes në kokë nga basketbollisti amerikan i Kamzës, Marcanvis Hymon. Palët kanë përfunduar në polici dhe tashmë është hapur procedim penal për lojtarin e Kamzës, pasi elbasanasit bënë denoncim në polici dhe çështja mësohet se i ka kaluar prokurorisë për të vijuar me hetimet e kësaj ngjarjeje. Si përfundim, ndeshja u mbyll pa përfunduar ende perioda e parë e këtij takimi.

ZANAFILLA – Tensionet nisën që në fillimin e saj sepse në palestrën sportive nuk kishte forca të policisë dhe pasi ekipet priten 20 minuta më kot, elbasanasit bëhen gati të largohen. Por, në një marrëveshje xhentëlmenësh, presin edhe pak mbërritjen e policisë dhe bien dakord që ta nisin ndeshjen pas mbërritjes së tyre. Por, sikur të mos mjaftonte ky incident, komisari i ndeshjes, Arben Kasmi, nuk lejon aktivizimin e sportistit të Elbasanit, Ramis Uruçi, i cili më herët kishte marrë një dënim në kupë dhe sipas tij nuk duhej të aktivizohej.

SHERRI – Pasi nis ndeshja, gjatë gjithë kohës nuk mungojnë përplasjet në fushë midis lojtarëve, por që deridiku ishin pjesë e lojës dhe nerva të kuptueshme, duke parë edhe rivalitetin midis tyre. Kulmi do të mbërrinte pa u mbyllur ende perioda e parë, ku lojtari i Elbasanit, Bruno Skëndaj pati një fërkim verbal me amerikanin e Kamzës, Gerard Davis. Në këto momente, ngrihet nga bankina lojtari tjetër amerikan i Kamzës, Marcanvis Hymon, i cili godet Skëndajn me grusht në kokë, me këtë të fundit që bie pa ndjenja, edhe për shkak se goditja i erdhi papritur. Menjëherë pas incidentit, basketbollisti i Elbasanit transportohet në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Për fat të mirë, gjendja e tij stabilizohet dhe sportisti kalon traumën, por i është rekomanduar nga mjeku të bëjë pushim duke marrë edhe një raport mjekoligjor.

NË KOMISARIAT – Nuk mbyllet gjithçka me kaq, pasi stafet e të dyja ekipeve thirren në polici për të dhënë versionin e tyre të ngjarjes dhe atë që ndodhi në atë ndeshje. Nga Elbasani dha deklarimet e tij trajneri Banush Sinani dhe lojtari Alban Çela. Në kampin kamzali dhanë deklarimet e tyre dy amerikanët e përfshirë në ngjarje, si edhe trajneri Eni Llazani. Për më shumë se dy orë palët qëndruan në komisariat për të treguar ngjarjen dhe më pas u lanë të lirë.