Shkëndija, minikombëtarja shqiptare

225

Shkëndija është bërë sinonim dhe shembull për të gjithë shqiptarët. Skuadra tetovare po i radhit një nga një sukseset në arenën ndërkombëtare, duke u bërë krenaria e të gjithë shqiptarëve.

Dy skuadrat tjera shqiptare, Kukësi dhe Teuta, janë eliminuar nga Europa League. Madje, skuadra durrsake është akuzuar edhe për kurdisje, njëjtë si kampioni shqiptar, Skënderbeu, që u përjashtua nga Liga e Kampionëve, derisa atë po e zëvendëson Partizani.

Ndërkaq, Shkëndija ka depërtuar në fazën e tretë me plot meritë, duke i eliminuar skuadrat si Cracovia në rrethin e parë dhe Neftchi në atë të dytë, ndërsa në rrethin e tretë, në ndeshjen e parë e mposhti të enjten ekipin çek, Mlada Boleslav, duke iu afruar fazës së grupeve të Europa League, duke e vazhduar historinë.

Junior dhe Hasani ishin realizuesit e golave të rëndësishëm të Shkëndijës, e cila në Çeki do të shkojë për ta zhvilluar ndeshjen kthyese me një rezultat të favorshëm dhe me shpresa të mëdha për ta kaluar edhe këtë rund. Loja e kthimit do të luhet të enjten e ardhshme.

Destani: Shkëndija mbi të gjitha

Shkëndija është bërë krenaria e shqiptarëve të Maqedonisë falë paraqitjeve fantastike në Europa League. Tifozët shqiptarë sot krenohen me Shkëndijën dhe për këtë gjithnjë janë mirënjohës të Lazim Destanit, emrin e të cilit e thërrasin kaherë nga tribunat. Është pikërisht Destani njeriu më meritor për arritjen e derikëtushme të Shkëndijës, e cila vit pas viti po ngjitet në nivele më të larta. Ai ndihet krenar me ndeshjet që po i zhvillojnë futbollistët tetovarë.

“Fitorja e Shkëndijës ndaj skuadrës çeke, Mlada Boleslav, është shumë premtuese për ta kaluar edhe këtë rund. Ishte një ndeshje ku lojtarët e Shkëndijës na dhuruan spektakël në tribuna e në ekrane, ndërsa tifozët dhe sidomos ‘Ballistët’ ia dhanë bukurinë fitores duke na sjell emocione pa fund. Veç tjerash, kjo fitore paraqet një hap më pranë kualifikimit në grupe, ku të gjithë tifozët duan ta shohin skuadrën e tyre të zemrës”, ka shkruar Destani në llogarinë e tij në rrjetin social, “Facebook”.

“Urime të gjithëve që e duan Shkëndijën, urime Shkëndija dhe faleminderit për gëzimin që na sollët. Ndërsa një urim dhe falënderim të veçantë jua përcjell ju ‘Ballistëve’ që skuadrës sonë të zemrës i keni dhënë mbështetje dinjitoze, korrekte e të civilizuar ashtu siç na ka hije dhe ashtu siç duam të gjithë. Kjo i duhet Shkëndijës, mbështetja korrekte dhe fitoret! Gëzuar të gjithëve, le të ecim drejt fitoreve të reja!”, ka vazhduar Destani.

Shkëndija sot angazhon yje shqiptarë e të huaj, ndërsa më moti ishte buzë shuarjes. Tetovarët ishin në ankth të madh, sepse po e shihnin klubin kuqezi duke shkuar në humnerë. Shpresat e tyre të fundit i kishin tek kompania e mirënjohur, “Ecolog”. “Ballistët” bënin edhe fushatë me moton: “Ecolog, thuaj PO Shkëndijës”. Dhe, një “Po” e morën pikërisht nga pronari i “Ecolog”-ut, Lazim Destani, ndihmën e të cilit ia dinë për nder sot çdo tifoz.

Shkëndija sivjet po i përfaqëson denjësisht në Evropë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por të të gjitha trevave shqiptare. Ky është klubi i vetëm shqiptar që ka mbetur në garë për pjesëmarrje në finalet e Europa Leagues, pasi klubet e Shqipërisë janë eliminuar, kurse atyre të Kosovës nuk u është mundësuar pjesëmarrja.

Shkëndija është bërë një klub modern, klub me aromë Evrope. Sot, të gjithë shqiptarët i kanë sytë kah Tetova, klubi i së cilës po ua zbardh fytyrën.