Shkarkimi i mundshëm i Bernard Challandes do t’i kushtonte FFK-së 400 mijë euro

305

Rezultatet aspak të mira në kampanjën e re kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katar 2022” kanë rikthyer temën e selektorit Bernard Challandes, i cili është vënë sërish në qendër të kritikave, shkruan Gazetasheshi.com.

Sikur mos të mjaftonin humbjet ndaj Suedisë në shtëpi (0-3) dhe Spanjës në udhëtim (3-1), te “Dardanët” ka patur jo pak probleme me disiplinën. ‘Gardiani’ Aro Muric u përjashtua në ditën e dytë të grumbullimit, ndërkohë që arsyet u thanë se kanë të bëjnë me disiplinën.

Leart Paqarada është një tjetër futbollist i cili i ka braktisur “Dardanët”. Mbrojtësi i krahut të majtë ka vendosur që mos të rikthehet te Kosova përderisa selektor të jetë Bernard Challandes, ndërkohë që për këtë të fundit në FFK tashmë veçse kanë dilema, pavarësisht deklaratave se ai ka besimin për të qëndruar.

Drejtuesit e këtij institucioni kanë deklaruar se Challandes e ka besimin për të vazhduar tutje, mirëpo është bërë edhe tema e shkarkimit të tij, teksa FFK-së do t’i kushtonte hiç më pak se 400 mijë euro.

Bernard Challandes ka rinovuar në gusht të vitit të kaluar kontratën e tij, e cila është e vlefshme deri në vitin 2022.

Mbetet për të parë nëse tekniku zvicerian do të dorëzohet para presionit të opinionit në Kosovë, apo do të qëndrojë deri në fund të kontratës së tij, duke detyruar FFK-në, t’i paguaj çdo cent të vendosur në kontratë.

/Gazeta Sheshi/