Serbët e Kosovës votojnë për zgjedhjet në Serbi

174

Derisa ka qëndrime të ndryshme të pozitës dhe opozitës sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë me 24 prill, qytetarët serbë tashmë janë bërë gati që të votojnë. Ata shprehen të sigurt se institucionet kosovare do t’i lejojnë që të votojnë, pasi të drejtën e votimit e shohin si të drejtë qytetare.

Serboljub Popoviq, qytetar nga Graçanica thotë se do të votojë, nëse një gjë të tillë ia lejon presidenti Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri.

“Do të dal nëse lejon Edita ose Thaçi. Thaçi tani është presidenti ynë. Unë jetoj në Kosovë dhe dua të vdes këtu. Nuk do të largohem kurrë nga Graçanica. Nuk është askund më sigurt se sa këtu në Kosovë. Nuk ka askund në botë më shumë liri se sa në Kosovë”, thotë Popoviq për KosovaPress.

Edhe qytetari Milan Veliq thotë se do të dalë të votojë për zgjedhjet e Serbisë, nëse ato mbahen në Kosovë.

“Do të dal në zgjedhje nëse mbahen. Nëse dalin të tjerët do të dalim edhe ne. Me sa di unë institucionet e Kosovës kanë lejuar të mbahen këto zgjedhje. Janë organizuar nga OSBE-ja, kështu ne e dimë. Ne do të dalim”, tha Veliq.

Por, kishte dhe nga ata qytetarë të cilët thonë se është e drejtë qytetare që të dalin të votojnë për zgjedhjet e Serbisë, të cilat pritet të mbahen në Kosovë.

“Do të dalim në zgjedhje, sepse kjo është e drejtë qytetare. Nëse nuk lejojnë, nuk dalim. Kjo është normale”, tha qytetari serb, i cili nuk deshi që të identifikohet.

Megjithatë, mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë po e kundërshtojnë fuqishëm edhe partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje thotë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe në funksion të Kushtetutës së Serbisë. Glauk Konjufca madje këtë e ka quajtur dhe sulm ndaj Kushtetutës dhe pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa Qeveria e Kosovës është pajtuar që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 24 prill.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të hapë qendra votimi në Kosovë, por serbëve të Kosovës do t’iu mundësohet të votojnë përmes qendrave grumbulluese të OSBE-së, si në vitin 2014.

“Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje serbe, por do të ketë vetëm grumbullim të votave nga ana e OSBE-së”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kohë më parë kishte paralajmëruar se serbët do të mund të hedhin votën e tyre vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse të Beogradit. Ndërsa tani pohojnë se këtë do të mund ta bëjnë përmes, siç i quan kryeministri Mustafa, “pikave grumbulluese të votave nga ana e OSBE-së”. /KosovaPress/