Sampaoli: Conte te Chelsea sepse unë nuk dija anglisht

163

Nëse Jorge Sampaoli do t’i kishte thënë po pa hezituar Chelseat, atëherë Antonio Conte nuk do të kishte asnjë shans për të marrë stolin e tyre. Por arsyeja përse ish-trajneri i Kilit ka refuzuar ofertën e Roman Abramovicit ka qenë “banale”: mungesa e njohurive të mjaftueshme të gjuhës angleze.

Chelsea do të zyrtarizojë trajnerin italian për 3 vitet e ardhshme si pasardhësin afatgjatë të Jose Mourinho por tekniku argjentinas zbuloi se ish-trajneri i Juves nuk ka qenë kurrë zgjedhje e parë e kampionëve të Anglisë.

Sampaoli, i cili udhëhoqi Kilin drejt triumfit të parë në Kupën e Amerikës verën e shkuar, thotë se u takua personalisht me bosin rus të bluve. “Pata një takim me pronarin e Chelseat dhe ai më tha se unë isha zgjedhja e parë. Unë do të bëhesha trajneri i tyre i ardhshëm”, deklaroi Sampaoli për radion argjentinase “Vorterix”.

“Por më pas u shfaq edhe emri i Kontes dhe nisi të bëhej një garë mes nesh. U bë më shumë ai sesa unë. Unë kisha nevojë për pak kohë për të përmirësuar anglishten time, por një klub i tillë nuk ta jep dot këtë kohë”, nënvizoi 56-vjeçari.

/Panorama Sport/