Ronaldo si hije, Reali vuan

164

Reali i Madridit ka pasur luhatje shumë të mëdha në paraqitjet e tij, që kur në krye të stolit erdhi Zinedin Zidan. Skuadra ka pasur fitore bindëse me goleada, por herë të tjera ka zhgënjyer, duke mos fituar, ose duke e arritur me vështirësi.

Rasti i fundit lidhet me ndeshjen ndaj Las Palmasit, ku arritën të marrin tri pikët vetëm në minutat e fundit, me gol të Kasemiros. Pikërisht kjo sfidë vendosi një rekord negativ për Kristiano Ronaldon.

Futbollisti që është pikë referimi në aksionet sulmuese të ekipit të tij ka prekur topin më pak herë se kurrë më parë, që kur ka veshur fanellën e skuadrës së tij. Duket e pabesueshme kur mëson që portugezi, përgjatë gjithë 90 minutave, e ka prekur topin vetëm 24 herë.

Më parë, një statistikë negative, CR7 e kishte vendosur në sezonin 2012-2013, kur në duelin me Valekanon e preku topin gjithsej 32 herë.

Një tregues që skuadra nuk po funksionon si duhet. Ylli i ekipit është duke u evituar nga aksionet, pavarësisht se ai ka zgjidhur sistematikisht ndeshjet në aspektin individual.

Pas takimit, trajneri Zidan shpërtheu në kritika kundër lojtarëve të tij, duke e cilësuar si të papranueshme atë paraqitje. Pavarësisht se nuk iu pasua sa duhet, statistikat e golave të Kristianos mbeten të frikshme, pasi ka gjetur rrugën e rrjetës 40 herë në 38 takime.

Prapaskena – Ronaldo dhe Reali janë duke menduar “divorcin” në fund të edicionit. Klubi merenges dëshiron që ekipi të heqë varësinë që ka ndaj portugezit dhe duke e shitur në verën e ardhshme mund të përfitojë më shumë financiarisht, duke qenë se lojtari është ende në një formë të shkëlqyer.

Me paratë e tij mund të afrojnë futbollistë si Aubamejang, Levandovski ose Hazard. Nga ana tjetër, edhe 31- vjeçari është i gatshëm të largohet, pasi ofertat në drejtimin e tij kanë qenë tunduese në aspektin financiar, sidomos nga francezët e PSG-së.