Rilindja e Parmës, ngjitet mes profesionistëve (Video)

168

Sa e vështirë është që të ngjitesh nga ferri në parajsë, pa kaluar në purgator? Ndoshta është pak blasfemike si shprehje, por ja që në futboll të tilla krahasime gjejnë shpesh mbështetje dhe janë pasqyrë e realitetit.

Në korrikun e shkuar, Parma falimentonte dhe verdikti ishte unanim i gjykatësve: për verdheblutë do të nise gjithçka nga Seria D, pra liga amatore dhe jo profesioniste.

Skuadra emiliane duhet të përballej me një mijë e një vështirësi, mes një buxheti të vogël, mes një skuadre për të ndërtuar, por sidomos me goditjen psikologjike se për t’u ngjitur sërish në Serinë A dhe për t’u kthyer në identitet do të duhen tre kategori.

E megjithatë, me një tifozeri besnike, 15 mijë në stadium ishin ditën e djeshme. Pas gjithë kësaj, historia e Parmës merr jetë në një rilindje. Pas amatorëve, profesionistët.

Skuadra emiliane ngjitet në Lega Pro, ku sezonin e ardhshëm do të përpiqet që të ngjisë edhe një tjetër shkallë, atë drejt Serisë B. S’do të jetë e lehtë, por as tek amatorët nuk ishte e lehtë. Bileta për më lart u sigurua pas një kampionati pa asnjë humbje, me 85 pikë në 35 ndeshje, 25 fitore dhe 10 barazime.