Ribery thumbon rëndë Guardiolan

137

Ylli i Bayernit, Franck Ribery, duket se paskësh “vuajtur” nën drejtimin e Pep Guardiolës. Sikur të mos mjaftonte deklarata injoruese për katalanasin, ku francezi ditë më parë lavdëronte Jupp Heynckesin, Ottmar Hitzfeldin dhe Carlo Ancelottin, 33-vjeçari edhe një herë ka “shigjetuar” ish-trajnerin e tij.

Pep la Bayernin këtë verë për t’u transferuar në Premier League te Manchester City. Sa shumë duhet të jetë gëzuar Ribery për këtë lajm! Mos e tepruam me këtë fjali? Mbase po, mbase jo, kur lexon deklaratën e mesfushorit. Në turin e Bayernit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ribery tha: “Pep është një trajner i ri. Atij i mungon përvoja. Shpesh ai flet më shumë seç duhet. Futbolli është shumë i thjeshtë.”

Arsyeja kryesore e kritikave të francezit është gjysmëfinalja e parë e Champions League me Atletico Madridin. Sipas tij, Pep nuk duhej të rrezikonte aq shumë duke mos aktivizuar gjithë lojtarët më të mirë. “Nuk mund të bësh gabime në një gjysmëfinale të Champions League. Kur ke emra të mëdhenj, duhet t’i kesh të gjithë në fushë”, – u shpreh francezi për ndeshjen e luajtur në Madrid, humbur 1-0.
Ribery u referohet dy mungesave kryesore, Jerome Boateng (i lënë jashtë për t’u rikuperuar nga dëmtimi) dhe Thomas Müller.

Sipas asaj që dëshiron të theksojë Ribery – drejtpërdrejt apo jo – është se gjatë tre viteve nën drejtimin e 45-vjeçarit ai kurrë nuk u bë shok me të. Pas largimit të Guardiolës, së fundmi mesfushori tha për gazetën “Kicker”: “Më në fund kam rifituar besim. Ndihem i lirë, plotësisht i motivuar.” Ribery i doli në krah menjëherë italianit Carlo Ancelotti, i cili ka rreth dy javë që stërvit bavarezët. “Nëse dëshiron të fitosh një titull të rëndësishëm si Champions League, të duhet një trajner i cili të jep një ndjesi të mirë. Të gjithë lojtarët kanë nevojë për një marrëdhënie të mirë me trajnerin”, – argumentoi francezi.