Refuzohet kërkesa e Prokurorisë për hetim të veçantë për Enver Hasanin

136

Gjykata e Apelit ka vendosur që kërkesa e prokurorisë për mundësinë e hetimit të veqantë në rastin e Enver Hasanit të hudhet poshtë si jo lëndore.

Në një komunikatë të Gjykatës së Apelit sqarohet se kolegji penal prej tre gjyqtarësh duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Speciale, të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 17 dhjetor të vitit 2015, në seancën e mbajtur më 29 shkurt të këtij viti ka marr vendim që aktvendimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që kërkesa për zbatimin e mundësisë se hetimit të veçantë, të hedhet poshtë si jo lëndore.

Gjykata e shkallës se parë, e kishte refuzuar si të pa bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, për zbatimin e mundësisë se hetimit të veçantë, në çështjen penale kundër të pandehurit Enver Hasani dhe Arta Rama, të dyshuar për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar, duke konsideruar se çështja në fjalë ka të bëjë me imunitetin funksional të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata e Apelit konstaton se meqenëse në këtë rast është ngritur aktakuzë, çështja e ligjshmërisë së zbatimit të hetimeve ndaj të pandehurit, por edhe kërkesës për mundësi hetuese të veçantë në drejtim të pretendimeve të palëve në procedurë, tani është jo lëndore. Kjo për faktin se hetimet kanë përfunduar me ngritje të akuzës, sipas të cilës, pavarësisht vendimit të panelit, gjykata është e obliguar të veproj, e ku do të sqarohej edhe çështja e imunitetit”, thuhet në komunikatë.