Reali eviton finalen, Enrike tall “galaktikët”

130

Stadiumi “Santiago Bernabeu” ishte përfolur si një kandidaturën e mundshme për të zhvilluar finalen e Kupës së Mbretit midis Barcelonës dhe Sevijes.

Por Florentino Perez kishte dhënë sinjale se do bënte të pamundurën që të mos lejonte rivalët e përjetshëm katalanas të ngrinin trofeun në stadiumin e tij.

Kjo u konfirmua pikërisht ditën e djeshme, kur më datë 21 maj, që do zhvillohet edhe ndeshja, në “Bernabeu” do organizohet një koncert madhështor i Brus Springstin. Për këtë arsye, finalja e Kupës duhet të mbahet në një tjetër impiant.

Trajneri Luis Enrike, i cili doli dje në konferencë shtypi para ndeshjes së prapambetur kundër Gijonit, ironizoi mbi këtë fakt:

“Për mua, nuk ka rëndësi se ku luhet finalja, por fakti që marr pjesë në të. Deri në momentin e zhvillimit, besoj se ka mjaftueshëm kohë. Meqë në ‘Santiago Bernabeu’ do ketë një koncert të Springstin, e vetmja gjë që do humbasin lojtarët e mi është që nuk do kenë mundësi ta ndjekin. Pjesa tjetër mund të argëtohet atë ditë dhe të shkojë për të marrë pjesë”, u shpreh kreu i pankinës katalanase.