Real Madridi, sa shumë telashe para Superkupës së Europës!

155

Cristiano Ronaldo, Bale, Pepe, Keylor dhe Kroos janë të pamundur për finale e Superkupës së Europës, që do të luhet më 9 gusht, ndërsa francezi Benzema është në dyshim. Trajneri Zidane është i shqetësuar për mungesën e “pjesës së luanit” të ekipit që drejton. Ai do të duhet të bëjë “meremetime” për të hedhur një 11-she dinjitoze në fushë, më 9 gusht, kundër Sevillas. Numri i madh i mungesave do të thotë se nuk do ta ketë të lehtë. “Zizou” duhet të bëjë pa pesë ose gjashtë lojtarët e ekipit, që u shpall kampion i Europës më 28 maj, në Milano. Bale dhe Kroos do të kthehen në stërvitje më 6 gusht dhe me vetëm tre ditë punë para finales është e pamundur për të arritur një formë sportive të arsyeshme.

Pepe do të kthehet më 10 gusht, ashtu si Ronaldo, i cili ende po shërohet nga ndrydhja e gjurit që pësoi në finalen e “Euro 2016”. Vendin e tyre në këtë finale mund ta marrin Morata, Lucas Vázquez apo Kovacic. Tjetër mungesë e sigurtë në finalen ndaj Sevillas është Keylor Navas. Portieri nga Kosta Rika vazhdon të punojë për shërimin e problemit në thembrën e këmbës së majtë dhe nuk arrin rikuperimin në kohë, për përplasjen e 9 gushtit në Trondheim (Norvegji). Në dyshim është edhe Karim Benzema, çka mund ta çojë në gjashtë numrin e mungesave për Zidane. Që nga 22 korriku, francezi është tërhequr paksa i lënduar, çka e pengoi atë të luante ndaj PSG-së dhe Chelsea.

Edhe pse aktualisht është ende duke punuar me “physios”, Benzema duket se do të marrë kohë… Kjo do të thotë se Zidane do të ketë një problem të madh përpara, pasi nuk mund të llogarisë asnjërin prej anëtarëve të “BBC”. Pra, përgjegjësia e shënimit të golit mbetet te Morata, i rikthyer në Madrid, por pa e kapur dot formën e tij më të mirë. Deri më tani, sulmuesi më dinjitoz është Mariano Diaz. Golashënuesi domenikan dje mbushi 23 vjeç dhe mund të ketë një shans për të luajtur në sulmin e “Los Blancos”, në finale e Superkupës së Europës. Në dy ndeshjet parasezonale, në SHBA, trajneri Zidane aplikoi skemat 4-4-2 dhe 4-3-3. Pa “BBC”, francezi është në kërkim të alterantivave…