Ramadani tregon momentin më të vështirë, por që ishte i kthesës për Prishtinën

195

Trajneri që shpalli Prishtinën kampione të Kosovës në futboll pas tetë vjetësh, Zekirija Ramadani, e vlerëson këtë titull si njërin ndër më të rëndësishmit në karrierën e tij.

Prishtina u fitoi titullin e 11 kampion në histori të klubit pas fitores ndaj Gjilanit 2:1, duke ngritur trofeun e më të mirit për herë të parë që prej vitit 2013.

I ftuar në emisionin 2 me 1 në RTV21, Ramadani renditi arsyet që dërguan Prishtinën drejt suksesit të madh, duke veçuar refuzimin e dorëheqjes së tij pas humbjes nga Drenica.

“Unë e mora përgjegjësinë pas humbjes nga Drenica dhe u ulëm për të diskutuar, por kryesia e klubit as nuk më la të përfundojë atë që kisha për të thënë, duke më besuar dhe duke kërkuar që të vazhdojmë bashkëpunimin”, deklaroi Ramadani.

“Besimi i tyre më obligoi edhe moralisht që të punojë gjatë gjithë kohës, ta bëja natën ditë duke menduar si t’ia nxjerri maksimumin kësaj skuadre”, shtoi ai.

Prishtina mbyllë këtë edicion me ndeshjen ndaj Ballkanit në fundjavë në “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas fillon përgatitjet për parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.