Trajneri jep dorëheqjen për skandalin seksual të para 55 vjetëve

121

Federata e Notit e Hungarisë ka mbështetur Laszlo Kissin 75-vjeçar, që ishte dënuar në vitin 1961 me tri vite burg, pasi mori pjesë në një përdhunim në grup të një notareje të re.

Në një deklaratë dhënë agjencisë nacionale të lajmeve MTI të enjten, Kiss ka thënë se po jep dorëheqjen nga posti i trajnerit të përfaqësueses, pasi skandali u përhap sërish në mediat vendore.

“Duke marrë parasysh interesat e sportit hungarez dhe shëndetit tim të përkeqësuar për shkak të sulmeve kundër meje, kam vendosur të jap dorëheqjen sot”, ka thënë ai, raporton Reuters.

Ai ka shtuar në komunikatë se ishte burgosur bazuar në akuza të kurdisura dhe në një padi të motivuar politikisht ndaj tij nga regjimi i atëhershëm komunist i Hungarisë dhe ka thënë se do të luftojë për të pastruar emrin e tij.

“Unë them se kurrë në asnjë rrethanë nuk kam kryer atë krim për të cilin u dënova”, ka deklaruar Kiss.

Kiss, që po stërviste skuadrën hungareze të notit për Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro këtë verë, ishte dënuar në vitin 1961 së bashku me dy notarë të tjerë për sulm seksual ndaj një notareje të re.