Qeveria ‘turret’ për në Aeroport ta presë Majlindën

153

Qeveria e Kosovës, pritet që gjatë ditës së nesërme të zbarkojë në Aeroportin e Prishtinës ‘në përpkje për të marrë sa më shumë pikë’ në publik, në kohën kur në aeroport do të aterojë kampionia e trefishtë europiane e xhudos, Majlinda Kelmendi.

Zbarkimi i Qeverisë, në krye me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, duket që është i çuditshëm dhe për përfitime elektorale, sepse një vit më parë, me një situatë të njejtë afërsisht, Majlinda Kelmendi ishte kthyer pasi kishte fituar titullin e kampiones europiane të xhudos, por asaj nuk i’a vari akush.

Ajo dhe trajneri personal i saj, Driton Kuka, nuk u pritën nga asnjë qeveritarë, pavarësisht se ishte bërë kampione europiane e xhudos për herë të dytë.

Gjithsesi, fitorja e titullit për herë të tretë, në Rusi, shoqëruar me ngritjen e flamurit të Kosovës në Moskë dhe intonimin e hymnit pa tekst, duket se ka sjellë një entuziazëm të paparë, gjë që nuk ka mbetur pa u verejtur nga qeveritarët që njihen si specialistë të shfrytëzimit të ngjarjeve dhe personave të tretë, për përfitime elektorale.

Gjatë ditës, nëpër media u shpërnda njoftimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve se kampionia Majlinda Kelmendi do të pritej në aeroport zyrtarisht nga zv/Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Rexhep Hoti, i cili në aeroport do të shkonte së bashku me stafin e kësaj ministrie.

Por situata ndryshoi në mbrëmje, pasi këtij njoftimi i/u bashkangjit edhe njoftimi tjetër, se vetë kryeministri Isa Mustafa do te jetë i pranishëm në pritjen e kampiones Mjalinda Kelmendi.

Në pritjen e kampiones gjithashtu, pritet të jenë edhe kamera të shumta të televizioneve lokale, kombëtare, të huaja, ndërsa disa prej tyre do transmetojnë pritjen e kampiones drejtpërdrejt nga aeroporti.

Majlinda Kelmendi u shpall kampione e Evropës në Xhudo, ndërsa Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë në Kazan të Rusisë, atje ku në fillim u bë problem që të përfaqësohej Kosova me simbole, por në fund rusët lëshuan pe.