Prishtina kërkon të vaksinohet para ndeshjeve në Ligën e Kampionëve

157
FOTO: prishtinafc.com

Një javë para fundit të kampionatit janë mësuar emrat e dy skuadrave që do të marrin pjesë në garat e UEFA-s – Prishtina si kampione e re dhe Llapi si fitues i Kupës shtetërore. Kurse, bileta e tretë do të ndahet në xhiron e fundit të kampionatit, për të cilën po luftojnë Drita e Ballkani.

Klubet kosovare sfidat evropiane do t’i nisin nga qershori dhe qysh tani i kanë filluar planifikimet. Në vitin e kaluar klubet e Kosovës kanë pësuar keq nga koronavirusi pasi infektimi i lojtarëve para ndeshjeve evropiane u kushtonte edhe me eliminim.

Për të mos u përsëritur situata e njëjtë, nga pakujdesia, FC Prishtina i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që me prioritet t’i vaksinojë futbollistët dhe stafet e skuadrave pjesëmarrëse në gara evropiane në mënyrë që Prishtina, Llapi e Drita apo Ballkani, të shkojnë të vaksinuara në garat e UEFA-s.

“Vjet dy herë kemi shkuar në Gjibraltar për ndeshjet tona evropiane. Këtu dilnim negativ, pastaj atje dilnim pozitve dhe dihen humbjet nga kjo. Kështu që apeloj Ministrinë e Shëndetësisë që klubet që sivjet marrin pjesë në gara evropiane t’u jepet mundësia për vaksinim sepse nëse nuk vaksinohemi dhe e lëmë punën te testet atëherë sërish mund të përsëriten rastet e njëjta dhe humbjet për ne. Vjet pësuam humbje financiare e sportive, dhe sivjet po apeloj te ministri Arben Vitia që të na jep mundësi nga java e ardhshme për ta marrë dozën e parë të vaksinës dhe dozën e dytë ta marrim pak para udhëtimeve. Pra të vaksinohen të tria klubet që do ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë”, ka thënë në “Klan Kosova” presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi.