Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova ka shënuar progres në lufte kundër krimit dhe korrupsionit dhe kjo është njëra ndër faktorët që Kosova pret lajme pozitive nga Brukseli për liberalizim të vizave.

Thaçi këto komente i bëri gjatë takimit me shefin e Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Pretenin, ku theksoi se duhet të bëjmë më tepër në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kam besim tek institucionet tona. Mbështes fuqishëm raportin e Agjencisë Antikorrupsion”, tha ai.

Shefi i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Pretenin tha se ia ka dorëzuar presidentit Thaçi raportin e punës.

“Kërkojmë të na krijohen kushtet më të mira për punë. Biseduam për disa të dhëna nga raporti. Ka hapësirë për përmirësim. 99.5 për qind të zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë. Për momentin flasim për një përgjegjësi të zyrtarëve të lartë për të kryer një obligim ligjor. Nuk do të kursejmë presidencën të vijmë dhe të kërkojmë mbështetje dhe nuk do të mungoj as tani”, ka thënë ai.

Thaçi tha se nuk bëjnë dallime në strukture dhe njerëz sa i përket korrupsionit dhe kjo beteje do të jetë e pakompromise.

“Percepsioni për korrupsion dhe realiteti për korrupsion në Kosovë janë dy bota të ndryshme. Institucionet e vendit po e fitojnë fuqinë dhe besimin të ballafaqohen me sfidat. Një ndër sukseset në rastin e rekomandimit të vizave janë përpjekjet e institucioneve për ta luftuar korrupsionit. Duhet bëhet më tepër dhe ka tolerancë zero”, tha ai./KosovaPress/