Presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi priti boksieren Donjeta Sadiku

110

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni, kanë pritur sot boksieren Donjeta Sadiku dhe drejtuesit e Klubit të Boksit Gollaku, pas marrjes së ftesës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Sadiku u ftua nga Komisioni Tre-Palësh në përbërje: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare dhe Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore.

Ajo është sportistja e 11-të që do ta përfaqësojë vendin tonë në LO Tokio 2020.

Presidenti Krasniqi ka përgëzuar boksieren Sadiku dhe gjithë klubin e boksit për ftesën e marrë, duke i uruar fat dhe suksese Donjetës në Lojërat Olimpike Tokio 2020, shkruan faqja zyrtare e Kok-ut.

Bursistja jonë olimpike, që ishte përfshirë nga KOK-u në listën prej gjashtë sportistëve, u shpreh e lumtur dhe falënderuese për përkrahjen që ka nga KOK-u, duke thënë se do të jap maksimumin për të përfaqësuar sa më mirë boksin dhe gjithë sportin e Kosovës.

Kryetari i KB Gollaku, Sabri Zylfiu, falënderoi presidentin Krasniqi për pritjen dhe përkrahjen që i ka dhënë KOK-u Sadikut dhe boksierëve tjerë të këtij klubi.

Të pranishëm krahas drejtuesve të klubit dhe trajnerit Besim Brahimi, ishin edhe boksierët, Bashkim Bajoku, kampion i Ballkanit për senior dhe Alnera Brahimi, medaliste e argjendtë e Evropës për të reja.