Prapaskena, 10 minutat që ndryshuan Interin

137

U bashkuan në fushë për t’u treguar të gjithëve se çfarë lloj lojtarësh janë. Me vlerësim dhe besim në aftësitë e tyre, lojtarët e Interit kërkuan që t’i tregonin në radhë të parë shoqërisë se nuk kishin “punësuar” burra normalë.

Kjo “fotografi” u shkrep pasditen e së martës në “Pinetina” pak minuta përpara se të niste pjesa e fundit e përgatitjeve për ndeshjen Inter-Juventus. Në ato dhjetë minuta takim, figurat më të rëndësishme të Interit morën fjalën për të kompaktësuar edhe “shpirtrat” më rebel.

Në ato 600 sekonda, ku nuk mori pjesë askush veç lojtarëve, “buroi” paraqitja e madhe që bënë zikaltrit të mërkurën. Ai takim u pasua edhe nga disa gjeste të vogla që u panë gjatë dhe pas ndeshjes në “Meazza”. Në tërë këtë histori spikat pozicioni i Roberto Mançinit.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, tekniku ka qëndruar jashtë dhomave të zhveshjes në momentin kur lojtarët po flisnin me njëri-tjetrin, transmeton Panorama Sport.

Pankina – Xhervazoni vërshëlleu fundin e pjesës së parë dhe të gjithë titullarët iu drejtuan tunelit që përfundon në dhomat e zhveshjes. Rrugës për në dhomat që ndodhen në zemër të “Meazza”-s, ata që kishin luajtur gjetën një surprizë të bukur.

Të gjithë zëvendësuesit pa përjashtim ishin duke i pritur për t’i uruar për paraqitjen e bërë. Një fenomen i tillë ndodh rrallë, pasi zakonisht zëvendësuesit qëndrojnë në fushë pas pjesëve të para për të bërë ushtrime.

Bolingbruk – Një tjetër gjest që nuk u pa nga të gjithë atë natë ishte edhe ai i administratorit të deleguar të Interit, Majkëll Bolingbruk. Ky i fundit priti lojtarët në hyrje të tunelit të famshëm pas penalltive dhe u komplimentua me secilin prej tyre duke i falënderuar për vullnetin e treguar. Kreu i lartë i Interit e dinte fare mirë se skuadra kishte dhënë maksimumin dhe për këtë motiv i qëndroi pranë në momentin e tyre më të vështirë.

Morati – Por surprizat për lojtarët nuk kishin mbaruar me aq. Pak minuta pas fundit të krejt takimit, në dhomat e zhveshjes zbriti edhe Masimo Morati. Ish-presidenti i Interit u takua me futbollistët dhe i falënderoi për paraqitjen e bërë përballë një rivaleje të fortë siç ishte “Zonja e Vjetër”.