Policia: Ende nuk ka te dyshuar per sulmin ndaj zyrave te Presidences

121

Policia e Kosovës ka njoftuar se sulmi ndaj zyrave të Presidencës, të cilat janë të vendosura në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe deri tash nuk ka të dyshuar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për KosovaPress, se njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarre të gjitha veprimet e nevojshme.

“Rasti është hap shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe asgjësim, dëmtim i pasurisë. Aktualisht jemi duke punuar për identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë ajo.

Kurse, në raportin e Policisë thuhet se disa persona të dyshuar, të maskuar kanë hedhur koktej molotov në drejtim të ndërtesës Presidenciale.

“Personat e dyshuar pas hedhjes së koktej molotovit dyshohet se janë larguar në drejtim të rrugës Agim Ramadani me një veturë ngjyrë të bardhë. Fillimisht dyshohet se me gurë e kanë thyer xhamin e dritares, ku kanë tentuar që ta hedhin shishen e molotovit, çka nuk kanë arritur pasi që shishja është goditur në muri ku shihet një sipërfaqe e murit rreth një metër e nxirë me rastin e thyerjes së shishes, ku derivatet janë djegur në atë pjesë të murit. Njësia policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, mirëpo nuk është arritur të hasen të dyshimtit. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet policore relevante, duke përfshirë edhe njësinë e hetimeve dhe krimtekniken rajonale për të kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes, duke përfshirë dëshmit në vendngjarje. Nuk raportohet për persona të lënduar. Rasti është iniciuar dhe dedikuar njësisë së hetimeve për procedura të mëtutjeshme dhe kryerje të hetimeve intensive, për zbulimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, thuhet në raportin e Policisë.