Pogba tremb tifozët anglezë, fluturon drejt Madridit

259

Frikë te “Djajtë e kuq!” Paul Pogba lë tifozët me zemër në duar. Pasi mesfushori francez postoi në rrjetet sociale një foto të tij në një avion, tifozët e Manchester Unitedit u gëzuan pamasë duke menduar se 23-vjeçari po fluturonte drejt ishullit për të firmosur kontratën e re në “Old Trafford”. Optimizmi i tyre zgjati shumë pak, derisa kuptuan se lojtari i Juventusit po shkonte për në New York City, pikërisht aty ku Real Madridi do të zhvillojë ndeshjen e fundit të turit të verës. Rastësi? Natyrisht, por klubi madrilen i tmerron rivalët në merkato.

Në postimin e tij me foto, Pogba shkroi: “Dua të vrapoj, dua të dribloj, dua të luaj futboll. Duke menduar për futboll #pushime#futbolliështëjeta“. Më pas shkroi: “Allahu është më i madhi”. Këto detaje bënë tifozët anglezë të mendonin se zyrtarizimi i nënkampionit të Evropës në Manchester ishte çështje orësh, por kur panë një foto të teknikut të Real Madridit, Zinedine Zidane, në majën e “Empire State Building”-ut para ndeshjes së nesërme me Bayernin, u kujtuan se ëndrra e tyre edhe mund të mos realizohet.

Gjithsesi, në çdo medie sportive italiane, spanjolle dhe angleze, shkruhet se kalimi i Pogbasë te United është çështje e kryer. Transferimi i shtatlartit në Premier League do të kushtojë gjithsej 226 milionë paundë (shifra e blerjes, shpërblimi për agjentin Mino Raiola, shpërblimet shtesë për lojtarin dhe pagat e tij në 5 vjet kontratë). Trajneri Jose Mourinho pret që marrëveshja të mbyllet para ndeshjes me skuadrën kampione të Anglisë, Leicester City, në “Wembley Stadium” të dielën pasdite.