Petrit Çarkaxhiu: Politika nuk po bën mjaftueshëm për fatin e të pagjeturve

310
Gheg Rock është emri të cilin i kanë vënë Jericho zhanrit të muzikës së tyre. I njohim me këngët “Zgjohu”, “Tomlin e nonës”, “Kur do t’pushojë kjo kangë” e të tjera, me të cilat Jericho ngre tema që prekin ndërgjegjen e shoqërisë. Petrit Carkaxhiu, solisti i grupit, në intervistën e mëposhtme për Gazetën Sheshi, tregon për motivet, inspirimin, zhanrin, dhe projektet e së ardhmes së Jerichos.
Po qe se do të mund të gjenim një shkallë të duhur krahasimi, do të mund t’i vinim në të njëjtin nivel me veprimet më të mira të politikanëve dhe të shoqërisë në përgjithësi për aktualizimin e çështjes kombëtare, mirëqenien shoqërore dhe njohjen e sakrificave dhe të meritave të individëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Në raste kur veprime të tilla të politikanëve mungojnë, këngët e Jerichos janë aty për të plotësuar boshllëkun, ose për të na e kujtuar se boshllëku ekziston dhe se politika është duke bërë pak për çështje të cilat Jericho prek në këngët e veta.
Gazeta Sheshi: Pse keni zgjedhë që çështja kombëtare të zërë kaq shumë vend në këngët tuaja?
Petrit Çarkaxhiu: Për shkak se si grup jemi formu në një kohë të lëvizjeve për çlirim prej Serbisë, n’kohën kur ndaj shqiptarëve është ushtru një zullum i madh. Na jemi konë të ri, n’vitin e parë në fakultet, kur organizoheshin protestat e para të studentëve dhe kur u bënë paraqitjet e para të UÇK-së, kështu që kemi qenë të preokupum si gjeneratë edhe vazhdojmë të jemi ashtu me të njëjtën çështje pasi që është një cështje ende e papërfunduar. Ky është preokupimi që është edhe burimi i tëmatikës në këngët e Jerichos dhe të të shumë artisteve tjerë.
Gazeta Sheshi: A e ka pru çështja muzikën apo muzika është lidhë me çështjen ma vonë, apo janë ndërlidhë të dyja!?
Petrit Çarkaxhiu: Të dyjat. Edhe n’aspektin muziko, disa prej influencave tona kanë qenë artistë të angazhum politikisht ose t’paktën me çështje t’ndryshme sociale që i kanë prekë tematikat e vendeve prej t’cilave vijnë, mënyrës qysh kanë knu e cfarë tekste kanë bo, kështu që po, është në të dy anët.
Gazeta Sheshi: Këngët “Kur do të pushoj kjo këngë” dhe “Kanga jonë” dolën në publik kur dukej që këtyre dy çështjeve nuk u kushtohej shumë rëndësi as prej politikanëve e as ndoshta as prej popullit. Çështja e të zhdukurve nuk ka përfunduar ende edhe disa vjet pasi kanë dalë këngët. A mendon se po punohet mjaftueshëm?
Petrit Çarkaxhiu: Jo, definitivisht nuk po punohet sa duhet, nuk është bo mjaft presion. Është shumë i dhimbshëm fakti që Serbia vazhdon me lujtë me këtë temë saherë që i shërben për poena politik në skenën politike ndërkombëtare e në proces të integrimit. Po luhet me problematikën e t’zhdukurve. Prej përfundimit të luftës e sot e kësaj dite ka njerëz që ende janë të preokupuar dhe me përkushtim vazhdojnë me punu por puna e vetem disa individëve nuk është e mjaftueshme. Mendoj se institucionet shtetërore por edhe shoqëria n’përgjithësi nuk kanë qenë të angazhuar sa duhet dhe nuk kanë ushtru presion të mjaftueshëm.
Gazeta Sheshi: Çka mundet me u bo? Diçka tjetër, si thirrja që Jericho e bën përmes muzikës?
Petrit Carkaxhiu: N’kohën kur është bo kanga, me t’vërtetë është folë shumë pak rreth kësaj teme dhe njëri prej aktiviteteve të vetme që e kemi pa ka qenë vendosja e fotografive të personave t’zhdukur në rrethojat e ndërtesës së qeverisë e ne e kemi shfrytëzu atë lloj të protestës të adaptuar në muzikën e videoklipin e kangës tonë për me e rritë vetëdijen e publikut n’lidhje me punën e të zhdukurve. Vetëdija e rritun e publikut pastaj do të kishte ushtru presion drejt institucioneve. Sadokudo disa iniciativa të organizatave e individëve, të artistëve e shoqnisë n’përgjithësi deri diku kanë pasë ndikim mirëpo ato shkojnë e zbehen sepse atyre ia zënë vendin probleme te reja e ma aktuale, qoftë në politikë apo edhe ne jetën e përditshme të qytetarit të thjeshtë. Ne jetojmë në një shtet shumë jostabil institucionalisht, në të njejtën kohë jemi pjesë e një shoqërie që përballet me njëqindmijë telashe. Të zhdukurit përkujtohen në ditën e të zhdukurve ndërsa mbesin të harruar pjesën tjetër të vitit.
 Gazeta Sheshi: “Kanga Jonë” ka ardhë në një periudhë të mëvonshme. Përderisa gjenerata e  juaj ende është e preokupuar me gjërat e atëhershme, gjeneratat e reja kanë fillu me u shkëputë prej asaj kohe e prej dhimbjeve që atëherë i kemi pasë. A është e mirë kjo shkëputja e gjeneratave të reja apo duhet me e mbajtë lidhjen? Cila është porosia e këngës?
Petrit Çarkaxhiu: Kanga është kriju në përkujtim të së kaluarës dhe dëshirën për një vetëdije më të lartë të gjeneratave të reja. Kanga flet për një solidarizim në mes të njerëzve, në mes të popullit. Çështja kombëtare është e papërfundume. Problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare une mendoj që nuk duhet të shikohen vetëm prej prizmit kosovar, s’duhet me u izolu e me thonë që na I kemi problemet e tona e ma tutje neve nuk na intereson, për qato edhe si kangë ka gjetë shtrimje ma të madhe në Maqedoni e në Shqipni. Kangët tona kanë gjetë shtrimje ma të madhe sepse i adresohen tanë kombit. Në fund të fundit, problemet me të cilat përballemi nuk na përkasin vetëm neve por edhe shqiptarëve të Shqipnisë e t’Maqedonisë, shqiptarëve në Preshevë e Medvegjë, edhe shqiptarëve në Mal të Zi. Muj me thonë përfundimisht që kanga jonë është një kangë që thërret për ni vetëdije ma të ngritur të shqiptarëve dhe për një lidhje ma të fortë e në të njëjtën kohë për solidarizim e humanizëm ma të madh ndaj njoni-tjetrit.
Gazeta Sheshi: Thirrja që ju bëni përmes muzikës a po pranohet si duhet? A po merr përgjigje? Si ndikon kjo në motivimin e Jericho-s si grup?
Petrit Çarkaxhiu: Shohim që ndikon tek të rinjtë e edhe te ata të gjeneratës sime. Ndikon në atë masë që u jep njerëzve një lloj kurajoje për me e vazhdu luftën, jo luftën në kuptimin luftë me armatim, por luftën për përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme.
E vërejmë te aktivitetet që i ndërmarrin të rinjtë, refuzimi për me qenë pasiv. E kemi kuptu këtë prej feedback-ut që e kemi marrë prej tyre. “Vazhdoni me bo muzikë të tillë se po motivohemi”, etj. Thjesht e kemi pa që është një mjet i mirë për motivim të njerëzve.
Gazeta Sheshi: Cilat këngë të tjera tuajat të ngjashme me këto të dyja do t’i përmendnit? Cilat periudha kohore i përshkruajnë dhe çka përshkruajnë saktësisht?
Petrit Çarkaxhiu: “Zgjohu” është nji kangë që ka dalë meniherë mas luftës, në të 2000-tën. Në kohën kur shoqnia e Kosovës ka qenë dëshmitare e shumë krimeve, shumë vrasjeve meniherë mas luftës. Ky ka qenë shkas për këtë kangë. Shkaku kryesor ka qenë vrasja e një arkitekti i cili ka qenë Drejtor i Urbanizmit këtu në Prishtinë, është fjala për Rexhep Lucin, i cili u vra për shkak të cënimit të interesave të disa grupeve të kompanive ndërtimore – është fjala për interesa të ngushta të disa individëve apo familjeve. Kanga “Zgjohu” ka folë për atë periudhë.
Mandej “Tomli i nonës” ka dalë si pjesë e një diskutimi të madh në lidhje me identitetin e shqiptarëve në mes të Lindjes e Perëndimit, mandej “Nëntori i ftohtë” është një kangë e cila ka dalë për 100 vjetorin e pavarësisë dhe pasqyron kush jemi, nëpër çfarë kemi kalu, cilat kanë qenë mangësitë e tona, dështimet tona gjatë këtyre 100 vjetëve, nashta edhe si reagim ndaj një entuziazmi të madh në lidhje me atë që shteti shqiptar feston 100 vjetorin e krijimit të shtetit. Por, në të njëjtën kohë, sa kemi të drejtë të jemi entuziastë kur mbetet kaq shumë punë pa u bo! Edhe sa kemi nevojë me reflektu mbi këto 100 vjet ku kanë ecë shqiptarët.
Gazeta Sheshi: Nëpër këto ditët e sotme ku secili i ka telashet e veta në jetën e përditshme, sa ka hapësirë për me bo këso reflektimesh historike?
Petrit Çarkaxhiu: Po pikërisht aty është problemi. Për shembull në rastin e kangës “Nëntori i ftohtë”, krejt pjesa e dytë është një autokritikë. Ashtu si thoni edhe ju në pyetjen tuaj, sa ka hapësirë me u marrë me çashtje madhore kur çashtjet elementare të jetesës nuk i kemi ende të rregullume. Kështu që krejt këto ndërlidhen, edhe çashtja kombëtare në përgjithësi ndërlidhet me mirëqenien e përditshme të cilën shqiptarët e jetojnë, si në Maqedoni e në Shqipni e kudo tjetër.
Gazeta Sheshi: Çfarë lloji është muzika juaj? Çfarë zhanri? Qysh e karakterizoni muzikën tuaj?
Petrit Çarkaxhiu: Na ja kemi vnu ni emër, i kemi thonë Gheg Rock (hahahhaha). Muzika jonë mundet, tash me këtë inkuadrimin e muzikës folklorike me rokun, me u qujtë, nëse dojnë me definu (edhe pse muzika sot i ka thy tabutë e definimit), dikush Etno Rock, ose mundet me u konë pjesë e muzikës botnore Ëorld Music ku hyjnë krejt ata artista që eksperimentojnë me elemente të muzikës folklorike, pa marrë parasysh çfarë zhanri.
Gazeta Sheshi: A ka grupe të tjera që bëjnë muzikë të ngjashme e që kanë porosinë e njëjtë?
Petrit Çarkaxhiu: Grupe që përdorin elemente të muzikës folklorike ka plot, krejt preokupohen me të njëjtat tematika por i paraqesin në forma të ndryshme, secili prej kandvështrimit të vet. Na nuk jemi të parët që kemi bo kësi muzike, roku shqiptar fillet e tij i ka të bazume në harmonitë e muzikës popullore shqiptare Grupi Gjurmët në vitet e 80-ta, Minatori ma herët gjatë të 90-tave, Ilir Bajri i cili ende ka punime të mira, mandej edhe muzicientë të tjerë si Elina Duni kohëve të fundit, e cila përdor elemente folklorike. Armend Xhaferi përdor elemente të tilla në Jazz, kështu që ka mjaft.
Gazeta Sheshi: A ka nevojë për ma shumë muzikë të llojit të tillë, pasi që është mjet kaq i mirë? A ka nevojë për ma shumë nxitje në popull për me u marrë me këto tema?
Petrit Çarkaxhiu: Unë jam për ma tepër diversitet, sa më shumë llojllojshmëri të stileve e tematikave. Jom ma tepër për ni shumëllojshmëri të skenës muzikore.
Gazeta Sheshi: Ma shumë se sa për një përcjellje të njëanshme të nji mesazhi të caktum?
Petrit Çarkaxhiu: Po, normal. Gjithkush e ka mënyrën e vet për me u shprehë, na nashta nuk mujmë me mrri te një grup i caktum i njerëzve, por mundet dikush tjetër. Çdonjëri e përfiton grupin e vet të publikut, kështu që sa ma e llojllojshme që është muzika, qaq ma mirë.