Përmbysja në Mynih, Juventusi studion Milanin e Ançelotit

164

Në 16 mars, Filip Lahm duhet t’u bëjë një diskutim të veçantë shokëve të tij të skuadrës, përpara fillimit të ndeshjes kundër Juventusit.

Barazimi 2-2 i arritur në transfertë kundër një skuadre italiane, në fakt, nuk mund t’i garantojë qetësi skuadrës nga Mynihu, sepse është historia që ta detyron dhe ta mëson këtë gjë. Për më shumë, në Gjermani, duket se ekziston edhe një lloj mallkimi sportiv, kur bëhet fjalë për t’u ndeshur me italianët.

Historia e një përmbysjeje

Më 3 prill 2007, një gol i Van Bujtenit në minutën e 93-të, i dhuroi Bajernit të Mynihut barazimin 2-2, në “San Siro”, në shtëpinë e Milanit.  Në ambientin kuqezi qarkullon vetëm zhgënjim në ajër, sepse rezultati nuk garanton shumë besim mbi mundësinë e përmbysjes në ndeshjen e kthimit.

Por tetë ditë më pas, më 11 prill, Milanit i mjaftojnë 45 minuta lojë për të bërë të mundur atë që dukej një mision i pamundur, pasi golat e Sedorfit dhe Inzagit bënë që Milani të fitojë 2-0 në Mynih, duke përjashtuar Bajernin nga mundësia për të shkuar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

Natyrisht që nga ajo kohë kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore shumë gjëra dhe jo vetëm sepse nga ajo sfidë, i vetmi i mbijetuar në radhët e gjermanëve është vetëm Filip Lahm, porse Milani i asaj kohe po përjetonte ciklin e tij më të mirë me në krye Karlo Ançelotin, ndërsa nga ana tjetër, bavarezët nuk ishin ai “tank”, i cili është sot.

Dhe të mendosh se në atë vit, pas një starti me Feliks Magatin, duhej ardhja në krye të skuadrës e një “shenjtori” si Otmar Hicfeld që Bajerni ta mbyllte vitin i katërti në Bundesligë, pas Shtutgartit, Shalkes dhe Verderit. Dhe kjo ndeshje do të mbetet në histori, sepse Milani ishte skuadra e parë që i shkaktonte një humbje Bajernit të Mynihut në fortesën “Allianz Arena”.  Prandaj, Juventusi, i cili ndryshe nga Milani arriti që të kapte me dhëmbë barazimin 2-2 në Itali, ka se ku të mund të frymëzohet për të tentuar një fitore në “bunkerin” e “pancerave”.

Dhe jo vetëm Milani…

Por nëse Milani ishte i pari që shkaktoi një tërmet në “Allianz Arena”, në vitet që pasuan edhe 6 skuadra të tjera arritën që të mos tremben nga bavarezët në fortesën e tyre dhe madje t’i mundin, prandaj Juventusi nuk duhet të niset i humbur, përkundrazi, duhet të vërë kurajën në fushë.

Skuadrat që arritën të bëjnë rezultat në Mynih ishin Anderlehti (2-1 në 1/8-at e Kupës UEFA 2007-2008), Bordoja (2-0 në fazën e grupeve Champions 2009-2010), Interi (3-2 në 1/ 8-at e Champions-it 2010- 2011), Arsenali (2-0 në 1/8- at e Champions-it 2012- 2013), Mançester Siti (3-2 në fazën e grupeve 2013-2014) dhe Reali i Madridit 4-0 (në gjysmëfinalet e Championsit 2013-2014).  Dy disfatat e fundit që kanë ardhur kur në drejtimin e skuadrës ka qenë Pep Guardiola.

Disfatë, por edhe goleada

Nëse Juventusi duhet të gjejë kurajë për të tentuar përmbysjen, nga ana tjetër duhet të ruhet edhe nga goleadat që kanë pësuar shumë skuadra së fundmi në “Allianz Arena”, shumë prej të cilave në tre sezonet e fundit, ku spikasin ato të pësuara nga Bazeli (7-0), Lilë (6-1), Shahtjor Donetsk (7-0), Dinamo Zagreb (5-0), Arsenal (5-1) dhe Olimpiakos (4-0).

Për më shumë, në anën e bavarezëve është edhe një tjetër statistikë e fortë, e cila nënvizon se në 23 raste që ata kanë barazuar në ndeshjen e parë në transfertë, në kthim janë kualifikuar në 21 raste. Dy precedentët e vetëm që bëjnë përjashtim është ai me Milanin (i cituar më lart) dhe ai i sezonit 1980-1981, në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, kundër Liverpulit.