Parashutisti protestues për pak sa nuk u rrëzua përmbi tifozët në Allianz Arena para ndeshjes Francë-Gjermani

171

Një parashutist protestues për pak sa nuk u rrëzua përmbi tifozët në Allianz Arena, para fillimit të ndeshjes së ‘Euro 2020’ ndërmjet Francës dhe Gjermanisë.

Derisa skuadrat ndodheshin në fushë para nisjes së takimit, parashutisti u afrua rrezikshëm në tribunat ku ndodheshin tifozët, para se të ulej në fushë.

Personi në fjalë ishte një aktivist i organizatës ambientaliste, Greenpeace dhe kishte një mesazh në parashutën e tij kundër ndotjes.

Menjëherë pas uljes në fushë, aktivisti u nxor jashtë nga sigurimi i stadiumit, ndërsa ndeshja filloi me vonesë.

Në njoftimin e Greenpeace u shpjegua se parashutisti kishte protestuar ndaj sponsorit të ‘Euro 2020’, Volkswagen dhe automjeteve të tyre që përdorin naftën si lëndë djegëse.