Paradoksi i Milanit: humbja me Juven, oksigjen për Mihajlovic

121

Përpara ndeshjes me Juventusin, pozitat e Sinisa Mihajlovic ishin të lëkundura. Në çdo konferencë për shtyp apo dalje për mediat, tema kryesore e diskutimit lidhej me të ardhmen e trajnerin në stolin e Milanit. Largimi i serbit në fund të sezonit dukej i pashmangshëm, por në mënyrë paradoksale, situata duket se mund të ndryshojë nga një humbje. Bëhet fjalë për disfatën 1-2 të së shtunës me Juventusin.

Kuqezinjtë krijuan iluzionin e fitores, por sërish dolën duar-boshë nga San Siro. Megjithatë, skuadra dha sinjale rizgjimi, përsa i takon lojës dhe rasteve të krijuara përballë ekipit më të fort në Serinë A. Një paraqitje që u interpretua si sinjal që Milani rigjeti dinjitetin. Atë dinjitet që skuadra e ka humbur shpesh gjatë këtij sezoni, duke e detyruar Mihajlovic të urdhëronte izolim te skuadrës në grumbullime. Tashmë situata ka ndryshuar. Stërvitja e së dielës në Milanello u anulua, duke dhënë një sinjal se trajneri dhe drejtuesit e klubit e kanë vlerësuar paraqitjen e skuadrës kundër Juventusit.

Ekipit i është lënë dy ditë pushim. Lojtarët nuk do të qëndrojnë të grumbulluar dhe stërvitja e Milanit do të rifillojë vetëm të martën. Pozitive ishin edhe duartrokitjet nga tifozët në tribuna. Sinjal që tregon se Mihajlovic mund të fillojë të marrë frymë lirisht pasi për muaj me radhë ishte nën presion nga të gjitha anët. Juventusi fitoi 3 pikët dhe hodhi një hap të rëndësishëm drejt titullit, ndërsa në mënyrë të pabesueshme, pas humbjes, te Milani mund të përjetojnë të paktën disa ditë të qeta.