Një shpresë e madhe troket në dyert e Ferizajit, së shpejti me aksionar të ri

904

Pritet zhvillime interesante në klubin e futbollit Ferizaj, që tash e një kohë të gjatë është zhytur në krizë të thellë financiare!

Klubi që garon në Ligën e Parë të Kosovës, grupi B, duket se shumë shpejt do t’i zgjedh të gjitha problemet që po ballafaqohet!

“Bota sot”, ka raportuar se Lulzim Abazi ka arritur marrëveshjen për blerjen e aksioneve të anglezëve në KF Ferizaj.

“Gjithçka do të zyrtarizohet brenda këtyre ditëve, nuk mund të japim më shumë detaje”, tha një burim i afërt me klubin.

Në fillim të korrikut të vitit 2018, Ferizaj u privatizua, anglezët morën 51 për qind të aksioneve dhe shqiptarët 49 për qind. Në krye të klubit Brian Deane. Nuk shkuan gjërat ashtu siç i planifikuan që nga koha kur u privatizua, por klubi u thellua në krizë të rëndë.

Pas kësaj krize të rëndë, duket se po vijnë ditët e mira dhe të këndelljes së Ferizajt.

Kush është Lulzim Abazi? Ai që nga viti 2003 ka udhëhequr një kohë të gjatë klubin e hendbollit Kastrioti nga Ferizaj (meshkujt), duke fituar disa trofe (titullin kampion dhe disa Kupa).

Abazi largohet nga skuadra e meshkujve dhe pas një kohe sërish rikthehet aty, prapë largohet dhe sot është në kryesi të klubit të femrave të Kastriotit në hendboll.

Ndryshe është biznesmen dhe pritet që të marr klubin e futbollit Ferizaj. Pritet brenda këtyre ditëve gjithçka të zyrtarizohet, pronar i ri i klubit të jetë Lulzim Abazi. Tentuam që të marrim edhe një prononcim nga Abazi, se cila është e vërteta, a e ka arritur marrëveshjen për blerjen e aksioneve, por ai nuk ka qasje në telefon.