Një jetë me Gjilanin: Ky është tifozi që i ndjek kuq e bardhët që nga dita e parë (FOTO)

2183

Të jesh tifozë do të thotë që shpeshherë ke prekur kulmin e emocioneve, qoftë për të mirë apo për të keq. Dashuria për klubin dhe heronjtë e tu nuk njohin limite, duke i ofruar zemrën tënde të pastër dhe çiltër në çdo ndeshje të fundjavës. Vështirësitë dhe peripecitë harrohen në momentin e golit dhe të gëzimit. Të tilla emocione ka përjetuar shumë herë Raif Ajeti, tifoz i klubit futbollistik Gjilani, ekipi të cilën e ndjek që nga dita e parë, tani e 21 vite.

Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Sheshi, Ajeti tregon se si e ka ndjekur ekipin e tij të zemrës që nga viti 1995, kohë kur Gjilani zhvillonte ndeshjet në grupin e Ferizajt, pasi kampionati ishte ndarë për shkak të pengesave që vijnin nga okupatori serb.

533593_471864749527396_2064269026_n
“Si çdo i ri tjetër, po ashtu dhe unë iu bashkova turmës së tifozëve të cilët mblidheshin në numër të madh për ti ndjekur ndeshjet e Gjilanit në arat e Malishevës (fshat afër Gjilanit). Nga ndeshja në ndeshje, dashuria për këtë klub shkonte gjithnjë duke u rritur, sa kilometrat e shumta që bënim në këmbë na u dukeshin metra të shkurtë”, fillon rrëfimin Ajeti.

Ai në vazhdim tregon se si ka ndjekur skuadrën hap pas hapi në çdo ndeshje të luajtur, si vendas po ashtu edhe si mysafir. Madje, ai ka disa ngjarje mjaft interesante për ti treguar.

“Filluam të mishëroheshim me golat e Muharrem Sahitit dhe shokëve të tij. Filluam ta ndjekim skuadrën edhe jashtë Gjilanit, madje në kushte mjaft të vështirë. Në fusha të improvizuara ne ishim të organizuar secili në mënyrat e veta për ta përkrahur skuadrën tonë. Udhëtimet në Llukar, Dumnic, Raushiq, Zhur dhe shumë vende të tjera ishin bërë rutinë për ne. Më kujtohet sikurse sot kur policia serbe na ndaloi për afro 2 orë gjatë udhëtimit tonë në Dumnic dhe në fund na kthyen prapa, duke na mohur të drejtën për të parë skuadrën tonë të zemrës”.

13882542_1328855240477563_1506061511653024501_n
“Një përjetim të hidhur kishim edhe në vitin 1997, para se të zhvillohej finalja e Kupës së Kosovës. Ne si tifoz kishim bërë të gjitha përgatitjet e duhura, madje një natë para duelit kishim mbetur pa gjum tek shtëpia e Arlind Behlulit, duke pikturuar kupën e Kosovës në një qarqaf të bardhë, ndërkohë që nuk patëm mundësi ta shpalosnim, pasi ndeshja nuk është zhvilluar fare për shkak të disa padrejtësive që iu bënë Gjilanit në atë kohë”, thekson Ajeti.

Fillimi i luftës do të thotë njëherit edhe fundi i kësaj epoke, me ç’rast u ndërprejtën garat në futbollin e Kosovës dhe tifozët ndaluan aktivitetin e tyre. Por, menjëherë mas luftës me një jehonë jashtëzakonisht të madhe, grupet e tifozëve ishin të mobilizuar si asnjëherë më parë duke i dhënë hijeshi dhe ngjyrim ndeshjeve kampionale në Ligën e Parë të Kosovës. Raifi me nostalgji tregon edhe vitet e para të riorganizimit dhe spektaklet e papara të organizuara menjëherë pas luftës.

13902704_1328850350478052_8808711058421207758_n
“Menjëherë pas luftës ne si grup i tifozëve të Gjilanit u riaktivizuam dhe filluam me organizimet tona në një emër të përbashkët “Skifterat”. Duke iu falenderuar donatorit tonë të madh Shukri Sylejmani si dhe shumë donatorëve të tjerë e kishim më lehtë organizimin dhe entuziasmi sa vinte e shtohej, pasi skuadra jonë e zemrës ishte në kulminacionin e saj, duke fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës, pavarësisht se kampionati na është marrë disa sezona në fundin e saj. Kerografitë dhe shumë elemente të tjera ishin bërë pjesë e pandashme e jetës tonë, që tashmë kishte marrë një tjetër kuptim”, potencon Ajeti.

Mirëpo, disa vite më vonë gjërat kanë ndryshuar për të mirë. Izolimit të futbollit kosovar më në fund i erdhi fundi. Pranimi në FIFA dhe UEFA, i ka ndryshuar gjërat për së mbari, ndaj dhe një ditë Raifi me shokë shpreson të ndjekë Gjilanit edhe në ndonjë vend të Europës.

13876609_1328848267144927_3208796372811198892_n
“Normalisht se gjërat tashmë janë më ndryshe. Jemi pranuar në UEFA dhe FIFA dhe sigurisht që kërkojmë më tepër. Falë punës së mirë që po bën kryesia e klubit me kryetar Bekim Rexhepin dhe bordin e tij, Gjilani është një skuadër shumë e organizuar dhe me pretendime të mëdha. Normalisht se dëshirojë që të fitojmë Kampionatin dhe Kupën për edicionin e ardhshëm në mënyrë që ta shohim Gjilanin në Europë, pse jo ta ndjekim edhe si tifo grup në çdo skaj të saj”, përfundon rrëfimin Ajeti, i cili për fund gjithashtu ka një mesazh për lojtarët e Gjilanit.

“Ju kurrë nuk do të jeni vetëm. Ne do jemi gjithmonë lojtari i 12-të i juaji. Faleminderit për emocionet dhe gjithmonë Forza Gjilan!”.

11904652_1111782695518153_3639142306368584198_n
/Gazeta Sheshi/